AlbanianSport.com 30/10/2018 09:45
ASNN – Ballkaniada e të rinjve mobilizon kuqezinjtë, Federate projekton katër kampionë. Nga data 1, deri më 4 nëntor 2018, në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, do të zhvillohet Kampionati Ballkanik i Mundjes për Të Rinj.
Referuar informacioneve nga Federata Shqiptare e Mundjes, në këtë veprimtari do të marrin pjesë 13 shtete, pra të gjitha vendet e Ballkanit, duke nisur me Slloveninë, Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Bullgarinë, Rumaninë, Moldavinë, Turqinë, Greqinë dhe padyshim dy shtetet shqiptare në rajon, Shqipëria dhe Kosova.
Veprimtaria do të zhvillohet në pallatin e sportit “Asllan Rusi” dhe Shqipëria do të marrë pjesë me 21 sportistë cilësorë, 19 meshkuj e dy femra. Dy vajzat janë Tea Sulo që do të garojë në 57 kg, si dhe Anxhela Imeraj që do të garojë në 59 kg.
Ambiciet e Federatës tonë janë që Shqipëria të fitojë të paktën katër medalje ari në këtë aktivitet, ose më saktë 4 kampionë Ballkani, dy nga stili i lirë e dy nga stili klasik (greko-romak). Për ekipin kuqezi drejtojnë trajnerët Ermal Kryeziu në stilin e lirë dhe Altin Bulku në stilin klasik.
Deri tani, Turqia ka konfirmuar pjesëmarrjen me një ekip të plotë dhe turqit janë pretendentët kryesorë për numrin më të madh të medaljeve, por mundës të fortë ka dhe Bullgaria e Greqia. Në listën e mëposhtme jepen sportistët e Kombëtares kuqezi që marrin pjesë në këtë veprimtari.
Shqipëria në Kampionatin Ballkanik të Mundjes për të Rinj
Stili i lirë:
57 kg Oltjan Bardhi
61 kg Emanuel Çekrezi
65 kg Eriglent Prizreni
70 kg Elmaz kryeziu
70 kg Sure Vrioni
74 kg Orgist Dauti
74 kg Ordist Lila
86 kg Hans Mara
92 kg Emiljano Onuzi
125 kg Paris Karepi
Stili klasik:
55 kg Bajram Sina
60 kg Tedi Llanaj
60 kg Julian Shehi
63 kg Flegert Voci
67 kg Kevi Kupi
72 kg Ardit Ndoi
77 kg Uendi Nuriu
97 kg Kevi Ballabani
105 kg Dorian Mirukaj
Femra:
57 kg Tea Sulo
59 kg Anxhela Imeraj