AlbanianSport.com 24.10.2014 21:25
ASNN – Mundësi i Kombëtares shqiptare, Egzon Shala, deklaroi se nuk ka asnjë plan për të përfaqësuar një shtet tjetër, porse zemra i rreh vetëm për flamurin kuqezi. Shala ishte kandidati i vetëm i propozuar nga Federata Shqiptare e Mundjes për të përfituar bursën olimpike “Rio 2016″, por Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, në mënyrë të pashpjegueshme, zgjodhi një kandidat të propozuar nga vetë organizmi që qeveris lëvizjen olimpike shqiptare, sportistin pak të njohur të Tiranës, Osman Hajdarin.
“Unë nuk kërkoj asgjë më shumë seç më takon”, – deklaroi për paketën sportive me pagesë në Shqipëri, “Supersport”, mundësi i stilit të lirë, kampion i Shqipërisë, fitues i vendit të 5-të në Kampionatin Evropian në 2013-n; medalist i bronztë në Lojërat Mesdhetare “Mersin 2013” dhe, së fundmi, vendi i 7- të në botë. – Unë kërkoj me shpirt dhe zemër të përfaqësoj kombin tim, Shqipërinë. Shpresoj që në Lojërat Olimpike të ardhshme në Rio 2016 të ngre lart flamurin shqiptar.”
“Përtej ofertave që mund të kem pasur për një shtet tjetër, unë do të garoj vetëm për Shqipërinë”, – ka shtuar ai. Për çështjen në fjalë të shumëdiskutuar, që ka përçarë përsëri Federatën Shqiptare të Mundjes dhe institucionin olimpik, në një reagim për mediat shqiptare, FSHM-ja do të deklaronte se Komisioni Teknik kishte përjashtuar kandidaturën e vetme të propozuar prej tyre, përkatësisht Egzon Shalën dhe ka përfshirë një tjetër sportist pa dijeninë e tyre.
Edhe pse përshëndeti nismën e përfshirjes së mundjes në projektin e bursave olimpike si sport elitar, federata vuri në dukje në qëndrimin e saj zyrtar se për këtë çështje do t’u drejtohen organizmave ndërkombëtarë.