AlbanianSport.com 17/02/2024 18:20
ASNN – Triumf kuqezi, mundësi Islam Dudajev merr medalje ari, shpallet “kampion” i Evropës në kategorinë e peshës trupore deri në 65kg. Mundësi Islam Dudajev është shpallur të shtunën në mbrëmje “kampion” i Evropës në peshën 65kg, në stilin e lirë, në Evropianin që po zhvillohet në Bukuresht të Rumanisë. Në finale, ai mundi me rezultatin 2-1 rusin Gadzhimurad Rashidov, në një sfidë të fortë dhe me shumë rivalitet.
Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit me origjinë ruse por që prej disa vitesh garon për Shqipërinë, që në këtë turne arriti t’i fitojë të gjitha sfidat. Ai e kishte siguruar që të premten zonën e medaljeve, pas kalimit në finale, por të shtunën ai shkëlqeu sërish, duke marrë atë të artë. Dueli i sotëm ndaj rusit tjetër, Rashidov, por që garonte si neutral, ishte mjaft i fortë.
Dudajevi kaloi i pari në epërsi, por rusi barazon. Sidoqoftë, Dudajevi arrin të dalë sërish në epërsi 2-1 dhe e mbron atë deri në fund. Në fund, mundësi që ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë, arrin t’u rezistojë sulmeve të rivalit dhe më pas nis festën me flamurin kuqezi. Në Evropian, Dudajevi arriti 5 fitore, ku përveç asaj të së shtunës, ai shkëlqeu në 4 duele të premten.
Në sfidën eliminatore, mundësi kuqezi fitoi 6-3 ndaj turkut Abdullah Toprak. Në fazën tjetër, Dudajevi mposhti me 8-1 mundësin rumun Stafan Ionut Koman, duke shkuar në çerekfinale, ku sërish nuk ndalet. Në këtë sfidë, Dudajevi mposhti 4-0 francezin Arsam Erzouev, duke dominuar në tapet. Dudajev nuk ndalet këtu dhe arrin të bëjë një tjetër paraqitje të shkëlqyer, duke mundur 3-1 në gjysmëfinale rivalin nga Azerbajxhani, Ali Rahuimzada.