AlbanianSport.com 25/02/2018 18:40
ASNN – Presidenti i sportit të tapetit: “Nëse do të kishim më shumë financa do të kishim dërguar më shumë ekipe në turne dhe do të kishim kombëtare më të plotë”. Vizita në dhjetor e Teodoros Hamakos, zëvendëspresidentit të Federatës Botërore të Mundjes për Evropën, e ka bërë presidentin e Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, që edhe sot të ndihet mirë.
Në fakt, Shqipëria është në pritje të marrjes së organizimit të një Kampionati Botëror, ndërsa vendimi do të vijë në qershor në Lozanë. “Megjithatë, – thotë Biba, – jemi të vetëdijshëm se kemi probleme në Pallatin e Sportit, sepse nuk plotëson standardet e kërkuara nga Federata Botërore e Mundjes për organizimin e një Botërori. Si fillim, ai nuk ka hapësirat e duhura mes tapetit të ndeshjeve dhe murit.”
“Por, sidoqoftë, ardhja e Hamakosit, përkujdesja ndaj mundësit tonë të dëmtuar, Leonard Frrokajt, na ka bërë të ndihemi mirë dhe jemi të ndërgjegjshëm se përkrahja e tyre nuk ka për të munguar kurrë”. Tashmë pritet që mundja shqiptare të zbresë në tapet për vitin 2018.