Gjergj Vyshka 07.09.2016 08:45
Të ndodhur në Kongresin e Zakonshëm të Federatës Botërore të Mundjes më 4 shtator 2016, dy drejtuesit më të lartë të institucionit shqiptar të mundjes kanë marrë “besën” e ndërkombëtare që njohin zgjedhjet e 30 maj 2015. Pranohet Kosova si anëtare e Federatës Botërore të Mundjes
Martin Biba, Presidenti aktual i Federatës Shqiptare të Mundjes, dhe Sekretari i Përgjithshëm i këtij organizmi, Ndriçim Spahiu kanë marrë përkrahjen e homologëve ndërkombëtarë teksa kanë qenë të pranishëm në Kongresin e Zakonshëm të Federatës Botërore të Mundjes.
Një kongres që është zhvilluar më 4 shtator në Makon të Francës, ndërsa sipas informacionit që ka përcjellë Sekretari i Përgjithshëm, Ndriçim Spahiu, menjëherë nga Franca të gjithë zyrtarët e Federatës Botërore të Mundjes kanë dhënë përkrahje që të vazhdohet kalendari vjetor për të çuar deri në fund veprimtaritë e planifikuara në kalendar, kombëtare dhe ndërkombëtare.
“Jo vetëm kaq, – thotë Spahiu, – por duke qenë të vendosur për raportin që ka përcjellë një vit më parë Theodhoros Hamakos, i cili i ka qenë i pranishëm në Asamblenë Zgjedhore të 30 majit 2015, ata i kanë cilësuar zgjedhjet e organeve drejtuese të shkëlqyera.”
“E çdo përpjekje për të cenuar Federatën Shqiptare të Mundjes do të sjellë një bumerang për këtë sport nga ndërkombëtarët”, – përfundoi Sekretari i Përgjithshëm i FSHM-së, Ndriçim Spahiu. Shkurt Biba e Spahiu e kanë marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve dhe kjo duhet të jetë “vath” në vesh për të gjithë…