Gjergj Vyshka 12.08.2015 15:35
Presidenti: “Ministria po përpiqet të krijojë një palë të tjera zgjedhjesh siç do ajo, por që nuk është normale. Na janë njohur dhe nga ndërkombëtarët. Politika të heqë dorë nga mundja, sepse është sport tradicional dhe i gjithë shqiptarëve.” Ky ka qenë thelbi i deklaratës së djeshme të presidentit të Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, në një konferencë për shtyp të zhvilluar në ambientet e palestrës së klubit Tirana. Përkrah tij kanë qenë anëtarët e Komitetit Drejtues, trajnerët e ekipit kombëtar, dy anëtarët e përfaqësueses e cila do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Mundjes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
E jo vetëm kaq, por dhe mundësit e Tiranës me në krye Sahit Prizrenin, si dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Mundjes, Ndriçim Spahiu. Sipas Bibës, tentativa e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, e cila tashmë e ka bllokuar fondin grand të mundjes shqiptare, është krijimi i një palë zgjedhje të tjera dhe vendosja e njerëzve që do ajo. “Bllokimi i fondit grand nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit e titullares së saj ministres Nikolla është i jashtëligjshëm. Janë një sërë veprimtarish Evropiane e botërore, që nga moshat e deri tek të rriturit në Amerikë, që mundja shqiptare duhet të përfaqësohet.”
“Bllokimi i grandit nuk ka arsye tjetër, por tentativën për të krijuar një palë zgjedhje të tjera në Federatën tonë, ndërsa vendimi për bllokimin është marrë pa u dëgjuar ne si palë, – ka vijuar kreu i mundjes shqiptare. – Po unë po ju them një gjë që politika, apo individë të caktuar nuk mund ta bllokojnë mundjen. Unë jam i zgjedhur deri më 2019-ën. Në zgjedhjet tona ka qenë dhe i dërguar i Federatës Botërore të Mundjes, Hamakos, ndërsa ndërkombëtarët na kanë sjellë një letër ku i quajnë të rregullta e të shkëlqyera zgjedhjet e kryera”, – ka theksuar Biba, i cili i ka përmendur politikës dhe tentativës për ndërhyrje tek mundja largimin e Elis Gurit në Bullgari, apo dhe të Sahid Prizrenit.
“Ne do të kemi një mundës si Egzon Shala në Botëror, që është duke u përgatitur në Bullgari. Më duhet të them që ne ndërkombëtarët i kemi lajmëruar dhe na ka thënë ejani në Amerikë të diskutojmë më gjerë. Mos harroni që Federata Botërore e Basketbollit ka përjashtuar Rusinë vetëm për ndërhyrjet e politikës”, ka përfunduar Biba, i cili më tej ka theksuar se tashmë do të jetë Gjykata Administrative ajo që do të zgjidhi problemin e bllokimit të grandit të mundjes. Ndërkohë nuk ka munguar as deklarata e Sahit Prizrenit, sipas të cilit për shkak të bllokimit të fondit grand është djegur pjesëmarrja e kadetëve në një Evropian dhe Botëror.
“I bëjmë thirrje Ministres dhe të gjithë politikës që të heqi dorë nga bllokimi i mundjes. Sepse ky është sport i traditës dhe që i ka sjellë shumë medalje Shqipërisë”, – ka thënë Prizreni. Ndërkohë deri më tani, edhe pse kanë dy ditë që vetëm flasin drejtuesit e Federatës Shqiptare të Mundjes, nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Por ajo që mbetet është thirrja e presidentit Bibës për politikën: “Larg duart nga mundja…!”