Gjergj Vyshka 19.09.2016 11:35
Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ka folur edhe për çështjen e dy Federatave paralele të tapetit. “Zgjedhjet e kërkuara në Federatën Shqiptare të Mundjes janë të stisura nga presidenti i KOKSH, Viron Bezhanit, dhe të mbështetura nga zëvendësministri Dimraj, – ka thënë ai. – Por kjo nuk është normale dhe ndërkombëtarët janë të shqetësuar.”
“Viron Bezhani, me mbështëtjen e zëvendësministrit Rauf Dimraj, kërkojnë të sjellin njerëzit e tyre, – ka vijuar Biba. – Unë nuk kam asgjë, e lë Federatën që tani, por ndaj një njeriu të besuar. Të gjithë nga Lezha dhe bëhen zgjedhjet në Shëngjin në një vend që askush s’e dinte. Praktikisht duhet të ishim thirrur si Federatë dhe dokumentacioni i asaj asambleje duhet të kishte ardhur e jo të çohej direkt në Ministri.”
“Megjithatë më duket se KOKSH-i është mësuar të krijojë Federata me dy koka”, thekson Biba, i cili jep dhe mesazhin e Laloviçit të marrë në Asamblenë Evropiane të Mundjes më 4 shtator 2016 në Makon të Francës. “Ne e kemi raportin e të dërguarit tonë në zgjedhjet e 30 majit 2015”, – shkruhet në mesazhin e kreut të mundjes botërore.
“Njohim atë Federatë, e cila nëpërmjet sistemit të Athinës (secili anëtar ka kodin dhe fjalëkalimin e vet) merr e kontakton me ne, – vijon ky mesazh. – Në të tilla kushte deri më 2019-ën jeni ju Federata Shqiptare e Mundjes vetëm nëse doni të bëni vetë zgjedhje.”
Duke përfunduar, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Martin Biba, ka këmbëngulur dhe një herë se nuk ka qenë dëshira e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar për t’i dhënë ftesën për në Rio, Egzon Shalës.