AlbanianSport.com 17/02/2024 16:00
ASNN – Shqipëria siguron një tjetër medalje, Abakarov në finalen e peshës 61kg në Evropianin e mundjes. Mundësi kuqezi, Zelimkhan Abakarov ka siguruar të shtunën pasdite finalen e kategorisë së peshës trupore deri 61kg, në Evropianin e mundjes, që po zhvillohet në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht.
Një paraqitje e shkëlqyer e mundësit 30-vjecar kuqezi, që i fitoi të gjitha duelet e zhvilluara deri më tani, duke prerë një biletë për finale, e cila do të zhvillohet të dielën në mbrëmje. Zelimkhan, “kampion bote” dy vite më parë, ka siguruar të paktën medaljen e argjendtë në këtë Evropian, por ai do të synojë të artën në këtë turne.
Përballë tij në finale do të jetë rusi Abasgadzhi Magomedov, por që garon si mundës neutral. Ai është mundësi i dytë shqiptar që del në finale e këtij turneu, pas Islam Dudajevit në kategorinë e peshës trupore deri në 65kg, që garon sot për medaljen e artën në stilin e lirë.
Në sfidën e parë, Abakarov mposhti 9-0 rivalin armen Mezhlum Mezhlumjan, duke e dominuar në tapet. Në çerekfinale, mundësi kuqezi triumfoi 7-5 ndaj gjeorgjianit Shota Phartenadze, në një sfidë të vështirë. Gjysmëfinalja ishte më e lehtë për Abakarov, që mundi 11-0 gjermanin Niklas Stehele, duke siguruar kështu kualifikimin në finale, që zhvillohet pas 24 orësh.