AlbanianSport.com 09/08/2018 21:15
ASNN – Kukësi është mundur të enjten 2-5 përballë Torpedos së Kutaisit në Gjeorgji, në një ndeshje që u vendos praktikisht në pjesën e parë. Pjesa e parë e këtij takimi, që është zhvilluar në në kryeqytetin gjeorgjian, ka qenë shkatërrimtare për Kukësin, pasi ka pësuar 4 gola. Pas ndeshjes së parë, skuadra verilindore mbetet kështu me një mision të vështirë në ndeshjen e kthimit pas një jave. Kështu, takimi Torpedo e Kutaisit-Kukësit, që u luajt të enjten dhe ishte i vlefshëm për turin e 3-të të Ligës së Evropës, është fituar nga skuadra gjeorgjiane me shifrat 5-2.
Pjesa e parë e këtij takimi, që është zhvilluar në në kryeqytetin gjeorgjian, ka qenë shkatërrimtare për Kukësin, pasi ka pësuar 4 gola, çka praktikisht vulosi fatin e ndeshjes. Brenda dy minutash lojë, është Giorgi Kimadze, i cili do të ishte rreziku më i madh i skuadrës vendase në pjesën e parë, ai që pason për Giorgi Kukhianidzen, që shënon, duke përfituar edhe nga vendosja e gabuar e mbrojtësve të Kukësit. Kjo skemë e skuadrës së Torpedos do të përsëritet në mënyrë thuajse identike në minutën e 15-të, ku Kimadze pason sërish në qendër për Kukhianidzen, i cili firmos dygolëshin e tij në këtë 45-minutësh të parë.
Megjithatë, skuadra shqiptare do të ngjallë shpresat për një rikthim në lojë, në minutën e 21-të, kur një top i zgjuar i Haris Harbasë e ka gjetur të papërgatitur portierin vendas dhe prehet në rrjetë. Por 7 minuta më pas, Lazar Marin do të gjejë golin e 3-të, me një depërtim të gjatë nga e majta e mbrojtjes së Kukësit, që ka qenë praktikisht edhe thembra e Akilit të skuadrës verilindore. Vetëm 3 minuta më pas, Giorgi Kimadze shkruan edhe ai emrin në listën e shënuesve të kësaj mbrëmjeje, duke realizuar golin e 4-t të Torpedos.
Minutat e fundit të pjesës së parë do të shohin Rexhinaldon të shpërdorojë një rast të mirë për Kukësin, por 45 minutat e para do të mbyllen me epërsinë 3-golëshe të gjeorgjianëve. Pjesa e dytë do të shohë vendasit të kënaqur me administrimin e rezultatit, përballë Kukësit që nuk arrin të gjejë golin që do të rihapë sadopak takimin. Madje janë vendasit që gjejnë edhe një gol të 5-të, duke realizuar 4 minuta para fundit të kohës së rregullt me Kapanadze. Përpjekjet e Kukësit do të kurorëzohen dy minuta më pas, kur do të fitojë një 11-metërsh që do të shndërrohet në gol nga Sebino Plaku.
Por është shumë pak dhe shumë vonë dhe Torpedo e Kutaisit e fiton ndeshjen e parë 5-2, ndërsa Kukësi mbetet me një mision të vështirë në ndeshjen e kthimit pas një jave.