AlbanianSport.com 16.02.2016 19:00
ASNN – Duket se nuk do të ketë vetëm një Hysaj në Itali. Në elitën e sportit të një vendi me kaq shumë tradita, Elseidi nuk do të mbetet vetëm për shumë kohë. Përveç mbrojtësit të Napolit, në skenë ka dalë motra e tij, Rigelta. Sipas “TV Klan”, vajza 16-vjeçare është federuar si volejbolliste e Klendi Aversës, pjesë e Serisë A2, ku do të luajë në ekipin e të rejave.
E shoqëruar nga vëllai më i madh, Rigelta, shkoi në klubin e qytetit të vogël të Aversës, vetëm pak kilometra në veri të Napolit për të hedhur një hap më lart në karrierë. Vitin e kaluar ajo ishte në skuadrën tjetër, Palavolo Pocuoli, në kategorinë e tretë, por tani bën pjesë në elitë. Fillimisht, ajo ka luajtur për Vllazninë e Shkodrës në Shqipëri përpara se të shkonte në Itali.
Vëllai i saj, Elseidi, e vlerëson shumë të motrën duke e quajtur si mjaft të talentuar dhe shumë të vendosur. “Ajo dëshiron gjithmonë që të fitojë”, – është përcaktimi i tij. Rigelta cilësohet si mjaft e talentuar edhe nga trajnerët e Klendi Aversës, e aftë në mbrojtje dhe në sulm. Besohet se shumë shpejt, ajo do të jetë protagonist në Serinë A të volejbollit, një nga kampionatet më të fortë në botë.