AlbanianSport.com 03.04.2016 14:35
ASNN – Gara e dytë e botërorit të motorëve, ajo për Çmimin e Madh të Argjentinës do të ketë në vijën e parë të nisjes, tre pilotët më të mirë. Markez është treguar më i shpejtë në provat zyrtare dhe do të niset sonte i pari, i ndjekur nga Rosi dhe Lorenco. Sikundër çdo eveniment madhor sportiv, edhe Botërori i Motorëve do të sillet për sportdashësit, drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Piloti spanjoll i Hondës, Markez, ka dhënë kohën më të shpejtë në sesionin përfundimtar të provave zyrtare, ndërsa pas tij u renditën dy pilotët e “Jamaha”-s, Valentino Rosi dhe Horge Lorenco. Ndonëse e bukur, pista e Motulit ka rezultuar tepër e rrezikshme për pilotët. Kjo u vërtetua edhe nga rrëzimet e shpeshta gjatë sesioneve të provave kualifikuese.
Sipas parashikimeve të motit, gara e së dielës pritet të zhvillohet me reshje shiu, gjë që e bën të paparashikueshme përfundimin e saj. Gjithsesi spektakli që do të dhurojë treshja e vijës së parë të nisjes, Markez, Rosi e Lorenco është e garantuar. Dhe gjithçka do të përcillet për teleshikuesit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 21:00.