AlbanianSport.com 16/05/2020 20:15
ASNN – Pas krizës së “Covid-19”, përvijon kalendarët e rinj të sezonit, garohet deri në dimër. Botërori i Formula 1 dhe ai i Moto GP-së kanë parë garat të anulohen njëra pas tjetrës dhe madje të vihet në dyshim i gjithë edicioni. Por tanimë, me uljen e ritmit të epidemisë së virusit “Covid 19”, duket se edhe këto dy kampionate po shohin “dritë në fund të tunelit”, teksa janë përvijuar edhe kalendarët e rinj të sezonit të tyre. Kriza e shkaktuar nga shpërthimi në shkallë globale i virusit korona ka shkaktuar pezullimin e veprimtarive sportive në mbarë botën dhe ndër disiplinat më të goditura janë motosportet.
Midis tyre spikatin padyshim Botërori i Formula 1 dhe ai i Moto GP-së, të cilat kanë parë garat të anulohen njëra pas tjetrës dhe madje të vihet në dyshim i gjithë edicioni. Por kur do të nisë Botërori i Formulës 1, që duhet të ngrinte siparin me garën e Australisë, por u anulua të premten e 13 marsit, para se të nisnin provat e lira. Tanimë, pas anulimeve të shumta dhe zhvendosjeve, pritet që, sipas të gjitha gjasave, ky Botëror të nisë më 5 korrik në Austri, aty ku do të mbahen dy gara njëra pas tjetrës brenda një jave, ashtu siç do të ndodhë dy javë më vonë edhe me dy gara në Silverstoun, në Britaninë e Madhe ose në Hokenhaim në Gjermani.
Paskëtaj do të nisë rrugëtimi i ngjeshur për ta mbyllur më 13 dhjetor 2020 në në Emiratet e Bashkuara Arabe, me synimin ambicioz të mbajtjes së 19 garave. Ky rrugëtim do ta çojë Formulën 1 në Hungari, në Barcelonë, Belgjikë, në Itali, në Azerbajxhan, Rusi, në Kinë, në Japoni, në SHBA, në Meksikë, në Brazil, në Vietnam, në Bahrein me dy gara të njëpasnjëshme brenda një jave dhe në fund, në Abu Dhabi. Ndërkohë, edhe pse dy nivelet më të ulëta i kryen garat e tyre në Katar, niveli më i lartë, Moto GP-ja, e anuloi garën, ashtu sikundër bëri edhe me 11 garat e tjera të kalendarit paraprak.
Sidoqoftë, pas shumë anulimesh dhe një kalendari të riformatuar dhe më pas gjithashtu të braktisur, më 7 maj u mësua se gjasat për ta nisur sezonin janë me një garë të dyfishtë në Herez të Spanjës më 19 dhe 26 korrik, por që sidoqoftë gjithçka do të varet nga miratimi i qeverisë spanjolle. Tanimë po planifikohet një kalendar me të paktën 10-12 gara, por që mund të zgjatet edhe me gara të tjera, nëse do ta lejonë kushtet dhe rrethanat.
Kështu, pas dy garave spanjolle, tanimë është konfirmuar gara e Republikës Çeke, Austrisë, Britanisë së Madhe, San Marinos, e Aragonit në Spanjë, Tajlandës, Japonisë, Malajzisë, SHBA-së, Argjentinës dhe për ta mbyllur në Valencia më 29 nëntor. Siç dihet, si Botërori i Formula 1, ashtu edhe ai i Moto GP-së do të sillen për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.