AlbanianSport.com 06/01/2020 22:05
ASNN – Me një maratonë rraskapitëse prej 7,500 km ka nisur edicioni i vitit 2020 i “Rellit të Dakarit”, që këtë vit mbahet në Arabinë Saudite. Debutuesi në këtë garë, Fernando Alonso, arriti të shmangë çdo pengesë në këtë fazë të parë të saj. Spanjolli 38-vjeçar ishte më shumë se çerek ore pas fituesit surprizë të etapës së parë, Vaidotas Zalas.
Alonso, duke u përpjekur të bëjë histori si kampioni i parë në Formula 1 që merr pjesë në këtë garë, e përfundoi etapën nga Xhed’da në Al-Uaxhh me “Toyota”-n e tij në vendin e 11-të. 13 herë fituesi i Dakarit, Stefan Peterhansel, ishte 2 minuta e 14 sekonda prapa fituesit, së bashku me Karlos Sainzin.
Fituesi i vitit të kaluar, Naser Al-Atijah, udhëhoqi për mbi 200 km por ai përfundoi në vendin e 4-t pas problemeve mekanike me “Toyota”-n e tij. Ndërsa mbajtësi i titullit në kategorinë e motorëve, Tobi Prajs arriti të fitojë fazën e parë. 32-vjeçari australian i KTM-së i përshkoi 752km dy minuta para amerikanit Riki Brabekut me “Honda”.