AlbanianSport.com 21/01/2019 23:35
ASNN – Pas 20 vjetësh me “Citroën”, 9 herë “kampioni i botës” në “relli”, Sebastien Lëb, do të marrë pjesë në garën e Monte Karlos, por tashmë me një “Hyundai”. 44 vjeçari sapo është kthyer nga Peruja, ku e mbylli “Dakar 2019”-ën, me një vend të tretë. Por si i duket Lëbit ky ndryshim i makinës, kur për një kohë të gjatë në karrierën e tij ka garuar me “Citroën”?
““Hyndai” është ende një makinë gare “relli”, – ka shpjeguar francezi. – Ka mënyrën e vet në drejtim, bilancet pak më të ndryshme, reagimi i menaxhimit, është pak më e shpejtë, por po të krahasohet me atë që unë jam i aftë të bëj me “Citroën”-in, duket se do të jetë një gjë e re për mua. Nuk do të jetë e lehtë, më duhet të marr ritmin tim, ta ndjej atë”. Lëbi ka në dispozicion vetëm një ditë e gjysmë për t’u përshtatur me garën e re.
E, për më tepër, nga Dakari, në Monte Karlo. “Nuk është kohë e mjaftueshme por do të shohim, do të përpiqemi të përshtatemi, – ka pohuar ai. – Ne po punojmë!” Lëbi e ka fituar 7 herë këtë garë, por këtë radhë piloti francez shikon disa gjëra ndryshe nga herët e tjera, teksa thotë: “Vështirë të thuash nëse do të fitoj apo jo. Jam i vetëdijshëm se do të jetë e komplikuar.”
“Kam një makinë të re, jo e lehtë për të menaxhuar, pra janë gjithë këto”, – ka përfunduar 9 herë “kampioni i botës” në “relli”, Sebastien Lëb. Gara e Rellit të Monte Karlos 2019 do të zhvillohet nga data 24, deri më 27 janar.