AlbanianSport.com 24.09.2016 15:30
ASNN – Quhet Çmimi i Madh i Spanjës dhe pilotët vendas nuk kanë lejuar që në garën e së dielës, radha e parë e nisjes të mos jetë e gjitha iberike. Markez, Vinjales dhe Lorenco ishin më të shpejtët në provat zyrtare të mbajtura të shtunën, duke e shtyrë italianin Valentino Rosi në vendin e 6-të. Sikundër i gjithë ky sezon i Moto GP-së, edhe gara e së dielës do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 14:00.
Do të flasë spanjisht i gjithë rreshti i parë i garës së të dielës në pistën e Aragonës, pasi Mark Markez, Maverik Vinjales dhe Horhe Lorenco ishin më të shpejtët në provat zyrtare të mbajtura të shtunën, duke e shtyrë italianin Valentino Rosi në vendin e 6-të. Në fakt, piloti i skuadrës së “Repsol Hondës” ka barazuar rekordin e nisjeve nga vendi i parë, plot 64 herë dhe premton që në garën e së dielës ta ngrejë larg flamurin spanjoll pikërisht në pistën e shtëpisë.
Mark Markezi, i cili dominoi edhe në provat e lira, ishte i papërmbajtshëm në provat zyrtare, ndërsa pritet që ai të ketë një sfidë të fortë nga bashkëatdhetarët e tij, Maverik Vinjalesi i “Suzuki”-t, që mbërriti në finish vetëm 631 të mijtat prapa, dhe Horhe Lorenco i “Jamaha”-s.
Radha e dytë e nisjes ka në përbërje dy italianë, Andrea Dovizciozon e “Dukati”-t dhe Valentino Rosi i “Jamaha”-s, ndërsa midis tyre është futur britaniku Kal Kraçlou i “LCR Hondës”. Dhjetëshen e të parëve do ta plotësojnë Dani Pedroza i “Repsol Honda”-s, Aleiks Espargaro i “Suzuki”-t, si dhe Danilo Petruçi dhe Skot Reding të “Dukati”-t klient.