AlbanianSport.com 17/04/2020 22:25
ASNN – Nisja e sezonit të Botërorit të Moto GP-së ka marrë një tjetër goditje të premten, pasi është njoftuar shtyrja edhe e garës së Saksenringut në Gjermani. Teksa Çmimi i Madh i Italisë në Muxhelo dhe ai i Katalonjës u shtynë më herët këtë muaj, Çmimi i Madh i Gjermanisë, i parashikuar për t’u zhvilluar në fundjavën e 21 qershorit, kishte mbetur si mundësia e parë për nisjen e sezonit të këtij viti.
Por shpresat për një gjë tillë u davaritën praktikisht këtë javë, kur zyrtarët gjermanë vendosën që grumbullimet masive do të ndaloheshin deri më 31 gusht 2020, për shjak të krizës së shkaktuar nga epidemia e koronavirusit. Kompania që organizon Çmimin e Madh të Gjermanisë, “ADAC”, ka konfirmuar tanimë edhe zyrtarisht se kjo garë është shtyrë dhe diskutimet tanimë janë përqendruar tek gjetja e një date të re më vonë gjatë vitit.
“Ne jemi në bisedime me kompaninë që zotëron të drejtën e organizimit të Moto GP-së, “Dorna Sports” dhe autoritetet përkatëse sa i përket një date të mëvonshme për garën tonë në Saksenring, – thuhej në njp komunikatë për shtyp të lëshuar nga “ADAC”-ja. – Përparësia jonë kryesore është shëndeti i sportdashësve dhe të gjithë njerëzve të përfshirë në këtë eveniment sportiv. Biletat e blera do të jenë të vlefshme edhe për datën e re dhe u kërkojmë tifozëve tanë besnikë vetëm për pak durim.”
Tanimë është Çmimi i Madh i Asenit, që është parashikuar të zhvillohet në fundjavën e 28 qershorit, ai që mbetet si mundësia e parë për nisjen e sezonit të ri, por kjo do të mësohet të martën e ardhshme, kur Holanda të shpallë nivelin e masave të reja kufizuese.