AlbanianSport.com 15/02/2019 19:00
ASNN – Të shtunën mbush 40 vjeç, por pasioni dhe oreksi i tij në pistë mbetet i njëjtë me atë të një adoleshenti. Valentino Rosi e pranon se ndjehet i vjetër në mjedisin e Moto GP-së, por thekson se nuk e sheh akoma veten të tërhiqet nga ky sport sfidues. “Dua të vazhdoj të garoj ende. Disa vite me motor dhe më pas në automobilizëm”, – ka këmbëngulur ai. 40 vjeç duket një kohë e gjatë për një pilot, por jo nëse quhesh Valentino Rossi. Të shtunën, edhe pse i mbiquajtur “Doktori” ka shuar 40 qirinjtë, fati i tij është si ai i Piter Panit.
Natyrisht është pjekur, por duket se asgjë nuk ia ka hequr dëshirën për të garuar me motor, djaloshit italian, që i ka bërë të dashurohen me të, të gjithë të apasionuarit e motoçiklizmit, që nga fillimi i karrierës së tij e deri tani pas 20 vitesh. Pak orë nga datëlindja e tij, pezarezi ka dhënë një intervistë të gjatë për “La Gazzetta dello Sport”, në të cilën ka bërë një bilanc për udhëtimin e tij deri tani, si dhe ka thënë diçka edhe për të ardhmen. “Jam i kënaqur për atë çfarë kam bërë dhe për mënyrën se si jam”, – ka pohuar piloti italian i “Jamahas”.
“Në jetën normale nuk kam asnjë problem, – ka vijuar ai për të përditshmen sportive në fjalë. – Si pilot i Moto GP-së jam disi i vjetër dhe për këtë më vjen keq. Do të më pëlqente të garoja për shumë vite, por nuk do të jetë kështu.” Por kjo nuk do të thotë se ai do ta mbyllë karrierën në fund të sezonit 2020, kur edhe mbaron kontrata me “Jamahan”, pasi ajo mund të mos jetë e fundit. “Sinqerisht nuk e di, – është përgjigjur ai. – Mund të jetë e fundit ose jo. Nuk mund të themi si do të përfundojë një gjë që ende nuk ka nisur.”
“Ka ende edhe dy vite, – ka vijuar Rosi. – Por edhe unë kam nisur të numëroj vitet e mia. Sidoqoftë, nuk e kam vendosur ende se çfarë do të bëj.” Vështirësitë që ka hasur me “Jamahan” e kanë larguar disi objektivin për titullin e 10-të, gjatë këtyre dy viteve të fundit, por Valentino vazhdon të shpresojë: “Është një ëndërr, të cilën besoj ta realizoj ende. Por të mos harrojmë se dy herë kam qenë pranë fitimit të titullit, por e kam humbur në garat e fundit. Pastaj kam qenë shumë herë nënkampion bote, ndaj karriera ime e meritonte titullin e 10-të.”
“Ndaj do të provoj ende”, – këmbëngul Rosi, duke komentuar 40 vitet e tij. Krenaria për këtë karrierë të gjatë, përveç sukseseve të tij, ka bërë që të apasionohen shumë njerëz. “Kjo është ajo që më bën shumë krenar” – ka shtuar 40-vjeçari. Përsa u përket rivalëve të tij ai përgjigjet: “Do ta filloja me Biaxhin, Xhibernaun, Kapirosin, Stonerin, Lorencon dhe Markezin”. Ndërsa për të ardhmen? “Dua të vazhdoj të garoj ende. Disa vite me motor dhe më pas në automobilizëm. Më pas të bëhem baba, të krijoj familje. Shpresoj që gjërat të shkojnë kështu”, – përfundon Valentino Rosi.