AlbanianSport.com 13/06/2019 22:05
ASNN – Rosi dhe Lorenco mund të quhen me të drejtë, “mbretërit” e Montmelos. Kjo sepse, të dy së bashku e kanë fituar Çmimin e Madh të Katalonjës plot 16 herë, Rosi 10 herë e Lorenco 6. Por të dy pilotët nuk janë aspak në momentin e tyre më të mirë. E nëse duan të rigjejnë optimizmin, mund ta bëjnë këtë vetëm në Montmelo. Këtë fundjavë Botërori i Motorëve, Moto GP, zhvillon për herë të 28-të, garën në Montmeló.
Ajo hyri në kalendar në vitin 1992, për të qenë skena e një Çmimi të Madh Evropian dhe që nga viti 1995 quhet Çmimi i Madh i Katalonjës. Dhe, që atëherë, shumë pilotë janë parë duke hapur një shishe shampanjë nga maja e podiumit, por jo aq shumë sa Rosi dhe Lorenzo, që mund të quhen mbretërit e pistës katalane. Të dy ata e kanë fituar 16 herë këtë garë.
Por, njëkohësisht, të dy e dinë se do ta kenë të vështirë ta përfundojnë me buzëqeshje këtë radhën garën në Montmelo. Vendin e parë të podiumeve në pistën e Katalonjës e zë Valentino, me 10 të tilla. Horheja është piloti i dytë në listë që ka më shumë suksese aty, 6. Tani ata vijnë në Montmelo si “mbretërit” pa shkëlqim në kurorat e tyre, me vetëm kujtime të bukura.
Rosi vjen pas një gare zhgënjyese në shtëpinë e vet, duke shpresuar të jetë më sfidues në këtë fundjavë. Ndërsa Lorenco shpreson të gjejë ritmin, që po i mungon me “Hondën” zyrtare, duke e lënë atë jashtë 10 më të mirëve. Rosi dhe Lorenco nuk janë në formën dhe momentin më të mirë, por nëse duan të rigjejnë buzëqeshjen, në Montmelo është vendi i duhur, aty ku ata kanë fituar më së shumti.