AlbanianSport.com 13/06/2019 16:35
ASNN – Deklaratat e drejtuesit të “Jamaha”-s, Maio Meregali, në një intervistë për mediat japoneze, kanë shkaktuar polemika midis tifozëve të Valentino Rosit. Skuadra japoneze është vënë në bankën e të akuzuarve pas paraqitjes aspak të mirë në garën e Mugellos: “Ajo garë ishte vetëm një aksident. Prisnim të merrnim diçka më shumë nga fuqia e motorit, por temperaturat e larta na penalizuan”, – ka thënë Meregali.
Për herë të parë që nga viti 2004, “Jamaha” nuk është ngjitur në podium në Çmimin e Madh të Italisë. Pas dy viteve të vështira, rrezikon edhe Botërorin e 3-të radhazi, e në këto kushte, Valentino Rosi mund të mërzitet, por Meregali ka kërkuar kohë. “Edhe “Dukati”-t, pasi u largua Kejsi Stoneri, iu deshën disa vite të rikthehej konkurrues”, – ka bërë një paralelizëm italiani i ekipit japonez.
“Ndërsa unë, po kërkoj me këmbëngulje të gjej sa më shpejt të jetë e mundur zgjidhjen për të bërë paraqitjet që të gjithë po kërkojnë, – tha drejtuesi i skuadrës japoneze. Valentino në garazh është gjithnjë i njëjti, kërkues dhe këmbëngulës për të përmirësuar motorin e tij, por nuk po shohim shumë ndryshime.” “Jamaha” ende nuk ka fituar një garë, në krahasim me “Hondën”, “Dukatin” dhe “Suzukin”.
“Kemi arritur vetëm dy vende të dyta, kemi arritur të përmirësojmë kohëzgjatjen e gomave, ndonëse ende s’kemi gjë në vijë me fuqinë e motorit, – ka pohuar drejtuesi i “Jamaha”-s. – Vijmë pas dy viteve, në të cilat kishim shumë probleme. Tani kemi mundur të gjejmë një bazë mbi të cilën po punojmë, e kemi një program zhvillimi, por, e përsëris, na duhet më shumë kohë.”