AlbanianSport.com 24.04.2016 15:55
ASNN – Italiani i “Jamahas”, Valentino ka bërë sot një garë të përkryer, pasi udhëhoqi që nga fillimi, deri në fund, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës dhe duke lënë lehtësisht prapa dyshen vendase të Horhe Lorencos dhe Mark Markezit. Sikundër me të gjitha garat e këtij sezoni, edhe emocionet e Çmimit të Madh të Spanjës u sollën për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.
Ai mund të jetë 37 vjeç, por Valentino Rosi ka dëshmuar se nuk ka humbur asgjë nga talenti i tij, duke dëshmuar në garën e sotme, ashtu siç bënte 19 vjet më parë ku fitonte garën e parë, se mbetet një legjendë e motoçiklizmit botëror. Italiani i “Jamahas” ka bërë një garë të përkryer, pasi udhëhoqi që nga fillimi, deri në fund, duke triumfuar në Çmimin e Madh të Spanjës.
Ai ka lënë lehtësisht prapa dyshen vendase të Horhe Lorencos dhe Mark Markezit. Në fakt, këta 3 pilotë dëshmuan se ishin një nivel më vete në pistën e Herezit, në atë që ishte përvjetori i 30-të i saj si “arenë” e motoçiklizmit profesionist. Rosi, i cili mori fiton e 9-të në këtë pistë, ia prishin kështu festën “të zotërve” të shtëpisë, duke marrë fitoren e 113-të në karrierën e tij, në të gjitha kategoritë e Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit.
Ndërkohë, ai korri fitoren e 87-të në karrierë në nivelin më të lartë të këtij kampionati, që njihet si Moto GP, ndërsa është ngjitur në podium plot 177 herë gjatë këtyre 19 vjetëve karrierë si profesionist. 25 pikë e marra sot e ngjitën Valentino Rosin në kuotën e 58 pikëve në vendin e tretë, 7 pikë më pak se Lorenco i vendit të dytë, ndërsa renditja e përgjithshme e pilotëve kryesohet nga Markez, me 82 pikë.