AlbanianSport.com 24/09/2018 19:25
ASNN – Horhe Lorenco ka akuzuar Mark Markezin se e ka penguar qëllimisht në momentin e rrëzimit. Dhe kjo nuk është hera e parë, shton Lorenco. Ky incident ndodh pikërisht kur dihet që të dy pilotët sezonin e ardhshëm do të garojnë në të njëjtën skuadër, me “Hondën”. Të gjithë e shikojnë shumë problematike bashkëjetesën e dy spanjollëve në një skuadër, kur pretendimet i kanë të njëjta. “Dita e mirë duket që në mëngjes”, thonë, dhe bashkëjetesa tek “Honda” e Mark Markezit dhe Horge Lorencos në sezonin 2019 parashikohet e vështirë.
Është e vërtetë që skuadra e Saitamas ka marrë dy pilotët më të shpejtë në qarkullim, por përtej logjikës së majorkezit, që nuk pranon rolin e pilotit të dytë në teori kundrejt një kolegu që pret të marrë titullin e 3-të kampion bote radhazi, rreziku qëndron në faktin se do të ketë probleme të mëdha, madje edhe të rrezikshme. Si ajo që ndodhi në Çmimin e Madh të Spanjës në Aragon. Lorenco, i nisur nga vendi I parë, është rrëzuar në kthesën e parë, duke vrarë gishtin e madh të këmbës së djathtë, e duke vënë kështu në dyshim pjesëmarrjen në garën e ardhshme, atë të Çmimit të Madh të Tajlandës.
Por ajo që ka më shumë rëndësi, për sezonin e ardhshëm, është sulmi i ashpër që i ka bërë piloti i “Dukatit”, bashkëkombasit të tij, duke e akuzuar se ia shkaktoi ai rrëzimin. “Mu desh të spostohesha, të hyja në zonën me papastërti, në të cilën hapa më shumë gazin për të mos humbur shumë terren dhe u rrëzova, – ka rrëfyer Lorenco. – Nuk e di nëse do të garoj në Tajlandë. Mund të fitoja. Jam shumë i zemëruar sepse nga jashtë asnjë nuk e pa manovrën. Markez bëri një parakalim me bllokim, e për të mos humbur pozicionet m’u desh t’i jepja gaz motorit.”
“Nga pamjet duket sikur ka qenë gabimi im, por nuk është kështu”, – ka këmbëngulur spanjolli i “Dukatit”. Mesazhi përfundimtar ngjan si një paralajmërim: “Shpresoj që Marku të vijë të më shikojë si jam katandisur dhe të më kërkojë falje. Nuk duhet ta bëjë më, përndryshe do të jem I detyryuar edhe unë të ndryshoj mënyrën e drejtimit të motorit. Një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në garat e Austrisë dhe Silverston në 2014, po me Markun.” Mjekët kanë parashikuar 10 ditë pushim për Horhe Lorencon, që rrezikon kështu pjesëmarrjen në garën e radhës.