AlbanianSport.com 17/09/2018 20:40
ASNN – Botërori i Moto GP-së përgatitet për garën e radhës së këtij sezoni, asaj që do të zhvillohet në pistën e Aragonit, në Spanjë. Sot ka nisur kështu java që i paraprin garës së 14-të të këtij sezoni dhe, që, si çdo garë tjetër, do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Nga një Mizano e ngjyrosur me të kuqe, nga një nisje nga vend i parë i Horhe Lorencos, deri tek fitorja e shokut të tij të skuadrës së “Dukati”-t, Andrea Doviciozo, është koha për të hedhur vështrimin drejt Aragonit në Spanjë, ku e kuqja do të duelojë me portokallinë.
Kjo pistë është shumë e dashur për kryesuesin e renditjes së pilotëve, Mark Markez dhe shkallët e tifozëve ka të ngjarë të mbushen me flamujt portokalli të “Repsol Honda”-s së tij nr. 93. Markezi ka një epërsi të tillë në betejën për titull, saqë kjo garë mund të jetë për tifozët e tij e fundit në shtëpi, përpara sesa ai të bëhet, për herë të 7-të kampion i botës. Po kështu, edhe shpejtësia e tij në këtë pistë ka qenë e pashoqe dhe, i nisur nga vendi i parë në 4 prej 5 garave që ai ka bërë në këtë pistë në Moto GP, ai spanjolli ka fituar 3 prej tyre, por, në krahun tjetër, dy të tjerat nuk ka arritur t’i mbyllë për shkak të rrëzimit.
Prandaj, dorashka e sfidës është hedhur për të gjithë ata që e ndjekin, për të cilët tanimë dështimi përjashtohet si një mundësi e pranueshme. A do të jetë një tjetër spanjoll, Lorenzo, apo një tjetër “Dukati”, Doviciozo? a do të kemi një surprizë nga një tjetër pilot shtëpie si Maverik Vinjales? A do të kemi një ringjallje të veteranit Valentino Rosi, apo Markez thjesht do të bëjë formalitetin? Me të gjitha këto pikëpyetje nis kështu java që i paraprin garës së 14-të të këtij sezoni dhe, që, si çdo garë tjetër, do të sillet për sportdashësit, të shtunën dhe të dielën, drejtpërdrejt dhe ekskluzivisht nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar.