AlbanianSport.com 13/02/2021 09:40
ASNN – Pas analizave të fundit, mjekët janë optimistë për rikuperimin e plotë të Mark Markezit. Lajmi është publikuar në faqen zyrtare të “Honda”-s. Tashmë piloti spanjoll është i bindur se do të jetë në gjendje të zbresë në pistë në garën e parë të Botërorit të Moto GP-së, më 28 mars 2021. Kështu, duket se po shkon në rrugën e duhur faza e rikuperimit të Mark Markezit, edhe pse është ende shpejt për të thënë se kur mund të rikthehet në pistë.
10 javë pas operacionit në shpatullën e djathtë, në përfundim të analizave të bëra në spitalin në Madrid, mjekët kanë thënë se situata klinike e pilotit është e mirë. Kështu shkruhej në njoftimin zyrtar, të publikuar nga “Honda”. Grupi i mjekëve që ndjek 8-herë “kampionin e botës”, ka nënvizuar se radiografitë, kanë konfirmuar një konsolidim të kockave dhe janë të kënaqur nga progresi. Tani nis rrugëtimi drejt rehabilitimit të vërtetë, për t’u rikthyer në pistë.
“Në javët e ardhshme, Markezi do të jetë në gjendje të vazhdojë i qetë rikuperimin, për të sjellë në funksion të plotë krahun e operuar”, – thuhej në deklaratën e “Honda Racing Corporation” (HRC). Piloti spanjoll mori pjesë këtë javë, së bashku me kolegun e tij të ri, Pol Espargaró, në një sesion fotografik për prezantimin e motorit të ri, të mbiquajtur “RC213V”. Sipas të përditshmes sportive spanjolle “AS”, ai ka qenë në gjendje të konfirmojë se ishte shumë optimist dhe me shpresë se do të arrijë të jetë në gjendje të zbresë në pistë me “Honda”-n në Çmimin e Madh të Katarit më 28 mars 2021.