AlbanianSport.com 20/02/2022 13:00
ASNN – Piloti australian vajton mundësinë e mungesës në një garë të sezonit të ri. Piloti i “Dukati”-t, Xhek Miller, ka deklaruar se infektimi me “Covid-19” dhe mundësia e mungesës së një gare për shkak të tij në 2022-shin është diçka “e frikshme” për të gjithë konkurrentët e këtij sezoni dhe i bën ata “nervozë”. Moto GP-ja pritet të organizojë sezonin me kalendarin më të gjatë, teksa janë rikthyer në të Çmimi i Madh i Indonezisë dhe ai i Finlandës, të zhvilluar për herë të fundit përkatësisht më 1997-ën dhe 1981-shin, e kanë çuar numrin e garave në 21.
Dhe kjo përtej faktit se “Covid-19” cilësohet ende si një pandemi nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndonëse kufizimet e udhëtimeve janë lehtësuar ndjeshgpm për skuadrat, që kanë përmbyllur testet parasezonale në Indonezi dhe Malajzi gjatë këtij muaji. Ndonëse i gjithë ekuipazhi i skuadrave të Moto GP-së është vaksinuar, nuk kanë munguar infektimet edhe gjatë testeve, ndërsa vetë Milleri e kaloi “Covid-19”-ën në janar në shtëpi në Australi, çka e detyroi “Dukati”-n të shtynte prezantimin për sezonin e ri.
Por Milleri e pranon se epidemia do të vijojë të jetë e pranishme edhe këtë sezon, teksa thotë. “Jeta e askujt nuk është e lehtë në botë në këtë moment. Ndihmësi im u infektua edhe pse ai nuk ka shkelur asnjë rregull të protokollit shëndetësor. Por kështu po funksionojnë gjërat tani. Unë vetë u infektova teksa isha në fermën time. Nuk kisha shkua askund tjetër, nuk kisha bërë asgjë tjetër dhe ja që u infektova. Kështu që mendoj se do të jetë e pranishme edhe këtë vit dhe për ne pilotët është diçka e frikshme, sepse të humbasësh një garë për shkak të kësaj, nuk është gjë e mirë”, – ka përfunduar piloti australian i “Dukati”-t, Xhek Miller.