AlbanianSport.com 31/03/2019 22:45
ASNN – Spanjolli mbërrin i pashqetësuar në finish, italiani i merr vendin e dytë bashkëatdhetarit. E diela ka qenë padyshim dita e garave të shpejtësisë në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar. Pasi ka sjellë pasdite garën e Formulës 1, transmetuesi publik ka vijuar të përcjellë në mbrëmje edhe emocionet e garës së Moto GP-së, ku Markezi mbërriti i pari në finish, ndërsa Rosi i mori në fund vendin e dytë Doviciozos.
Kampioni në fuqi i botës, Mark Markez, e ka dominuar nga fillimi deri në fund garën e dytë të sezonit, të zhvilluar në pistën e Termasit në Argjentinë, por pjesa më interesante e garës, ishte beteja për vendin e dytë, që në fund u fitua me zgjuarsi nga veterani Valentino Rosi, i cili ia rrëmbeu kështu shkallën e dytë të podiumit bashkatdhetarit të tij, Andrea Doviciozo.
I palëkundur për asnjë çast mbi motorin e tij të “Hondës” zyrtare, 26-vjeçari triumfoi bindshëm në Çmimin e Madhe të Argjentinës, të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke mbërritur në vijën e finishit 9 sekonda para dyshes së pilotëve italianë të “Jamahas” dhe “Dukatit”, të cilët në fakt zhvilluan një betejë të ashpër nga fillimi deri në fund.
Markezi u nis vrullshëm nga vendi i parë, por Maverik Vinjalesi i vendit të dytë mbeti prapa, duke e lejuar Doviciozon e vendit të 3-të, por edhe Rosin dhe Xhek Miller ta parakalonin. Që në xhiron e 3-të, me spanjollin e “Hondës” që e çoi në dy sekonda e gjysmë shkëputjen, u bë e qartë se gara do të zhvillohej për vendin e dytë dhe të 3-të. Në xhiron e 8-të, Markezi e kishte çuar në 5 sekonda kryesimin.
Dhe, duke nisur nga xhiroja e 9-të, beteja për vendin e dytë u monopolizua nga Doviciozo dhe Rosi. Dhe, duke shpalosur një nga ato goditjet mjeshtërore nga bagazhi i tij i pasur, veterani i “Jamahas” e parakaloi “Dukatin” e Doviciozos në kthesën e 7-të të xhiros së fundit, duke marrë shkallën e dytë të podiumit. Duhet thënë se garën e mbyllën me sukses 17 pilotë, ndërsa 6 pilotë të tjerë u skualifikuan rrugës.
Pas garës së Argjentinës, në renditjen e pilotëve vendin e parë e mban Mark Markezi, me 45 pikë, ndjekur nga Doviciozo, me 41 pikë, dhe në vend të 3-të Valentino Rosi me 31 pikë. Emocioni dhe spektakli i garave në Moto GP është i garantuar deri në fund. Mbi të gjitha, kthimi në podium pas shumë kohësh i “Doktorit” Valentino Rosi është shenjë e mirë dhe garanci për një rivalitet të spikatur, pavarësisht se Markezi me “Hondën” e tij duket i pakapshëm në këto gara të para.