AlbanianSport.com 06/10/2018 16:50
ASNN – Spanjolli Mark Markez i “Repsol Hondës” fitoi të shtunën një betejë të ashpër me Valentino Rosin e “Jamahas”, duke e lënë veteranin italian vetëm 11 të mijëtat prapa, ndërsa rreshtin e parë të nisjes do ta plotësojë piloti i “Dukatit”, Andrea Doviciozo. Sikundër provat zyrtare të shtunën, edhe gara e së dielës e Çmimit të Madh të Tajlandës në Moto GP do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, duke nisur nga ora 09:00.
Kryesuesi i renditjes së përgjithshme të pilotëve, Mark Markez ka siguruar të shtunën për të 50-tën herë në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, Moto GP, nisjen nga vendi i parë, pasi triumfoi në provat zyrtare të Çmimit të Madh të Tajlandës. Spanjolli i “Repsol Hondës” fitoi një betejë të ashpër me Valentino Rosin e “Jamahas”, duke e lënë veteranin italian vetëm 11 të mijëtat prapa, ndërsa rreshtin e parë të nisjes do ta plotësojë piloti i “Dukatit”, Andrea Doviciozo.
Piloti tjetër i “Dukatit”, Horhe Lorenco, i cili pati sfiduar dhimbjen për të garuar në Tajlandë, pas aksidentit të pësuar në Aragon para dy javësh, është tërhequr nga gara e së dielës, pasi pësoi një tjetër aksident në provat e lira. Edhe Markezi pati një aksident në provat e lira në pistën e Buriramit, por ai e kapërceu atë, duke triumfuar në një betejë të ethshme në provat zyrtare, ku, në një moment të caktuar, 9 pilotët e parë ishin vetëm 455 të mijëtat nga njëri-tjetri.
Teksa provat zyrtare po mbylleshin, Rosi ishte në formë të shkëlqyer dhe u duk se i mbiquajturi “Doktori”, kishte bërë mjaftueshëm për të marrë vendin e parë me kohën 1 minutë, 30 sekonda e 99 të mijëtat. Por spanjolli i “Hondës” është përgjigjur flakë për flakë, duke mbërritur në finish vetëm 11 të mijëtat e sekondës më shpejt. Edhe pse Doviciozo kërcënoi ta parakalonte dyshen Markez-Rosi, italiani me “Desmosediçin” e tij u detyrua të kënaqet me nisjen nga vendi i 3-të, 139 të mijëtat e sekondës më i ngadaltë.
Dhjetëshen e të parëve e plotësojnë Maverik Vinjales, Kal Kraçlou, Andrea Janone, Dani Pedroza, Johan Zarko, Danilo Petruçi dhe Xhek Miller.