AlbanianSport.com 01/02/2019 21:00
ASNN – “Honda” vuan për zgjedhjen e pilotit të parë e të dytë. Konkurrenca midis Mark Markezit dhe Horhe Lorenco vazhdon të krijojë hapësira për të folur. 15-herë kampioni i botës Xhakomo Agostini ka bërë një analizë për marrëdhënien që do të kenë këta dy pilotë te “Honda” për sezonin e ardhshëm të Moto GP-së. Ardhja e spanjollit tjetër, ka patur ndikim të madh në skuadrën japoneze.
Dhe dy “kokëshkretë” në të njëjtën skuadër, do të sjellin sigurisht duele shumë të vështira, të cilat mund të shoqërohen edhe me një dozë të mirë urrejtje. Brenda një Kampionati Botëror, ideja që rivali juaj kryesor është në anën tjetër të garazhit të krijon një situatë jo fort të këndshme. Askujt nuk i pëlqen të humbasë, le më pastaj të mendosh që të fitojë rivali yt, shok skuadre.
Për fat të keq, do të fitojë vetëm njëri dhe ky është realiteti. Pavarësisht hegjemonisë që krijuar nga piloti nga Servera në pistë te “Repsol Honda” në vitet e fundit, italiani Agostini, beson se nëse Lorenco bën si di ai, në pistë do të ketë beteja të mëdha. Duket se gjithçka do të jetë e vështirë pasi Markez është një pilot që shkon përtej limiteve. 15 herë kampioni I botës, Agostini thekson se te “Honda” nuk do të ketë pilot numër 1 e 2.
Të dy, Markez dhe Lorenco do të trajtohen nga skuadra në mënyrë të barabartë, sepse ata janë dy kampionë. Vetë rezultatet do të tregojnë se kush është numri një, dhe të dy do të luftojnë për të arritur tek ai.