AlbanianSport.com 10/01/2017 16:10
ASNN – Pasi mbrojti titullin “kampion bote” sezonin e fundit të Moto GP-së, Mark Markez kërkon që këtë gjë ta bëjë edhe vitin që sapo ka nisur, edhe pse spanjolli i “Honda”-s mendon se për të ka për të qenë më e vështirë. “Nuk besoj se do të jenë vetëm Doviciozo e Lorenco me “Dukati” pretendentë për titull, por edhe “Jamaha””, – ka deklaruar ai.
“Besoj se Rosi e Vinjales duan të hakmerren pas sezonit të kaluar. Ndaj për mua nuk ka për të qenë e lehtë”, – u shpreh Mark Markez, 4 herë “kampion bote” në Moto GP. Piloti spanjoll u bën apel drejtuesve të “Honda” që t’i japin një motor të shpejtë dhe të fuqishëm në mënyrë që të jetë sërish më i miri. “Unë besoj te puna që bëhet në fabrikë dhe jam i bindur se do të kem një motor të mirë”, – ka thënë ai.
“Një motor që të më japë mundësi të mbroj titullin kampion. Nuk ka për të qenë aspak e lehtë, por përvoja e fituar në gjithë këto vite do të më ndihmojë t’ia dal mbanë”, – përfundoi Mark Markez. Në fund të janarit do të nisin provat e para sezonale dimërore në Moto GP.