AlbanianSport.com 17/09/2022 12:45
ASNN – Mark Markez rikthehet në Moto GP plot 100 ditë pas operacionit të fundit në shpatull. Ai do të garojë në Aragon, por me synimin për sezonin 2023. Përsa i përket të ardhmes te “Honda”, kjo mbetet për t’u parë. Në 2024 skadon kontrata e tij me skuadrën japoneze dhe ndoshta e ardhmja e spanjollit mund të jetë me “Ducati”-n.
Më në fund vjen edhe lajmi i mirë që Mark Markez do të rikthehet në garë. 100 ditë pas operacionit të katërt në shpatull, piloti spanjoll do të rinisë konkurrimin në Moto GP, pikërisht në garën e Aragonit. Pas testimeve të suksesshme me motor në Misano, mjekët kanë dhënë miratimin për rikthimin e tij në garë.
Aktualisht Kampionati Botëror i Moto GP-së ka arritur nivele të paprecedentë dhe aftësia e pilotëve nuk mjafton më për të bërë diferencën. Ndaj riaktivizimi i Markezit në Moto GP do të sjellë zhvillime interesante në konkurrimin e pilotëve. Por qëllimi i vërtetë i spanjollit është të krijojë një paketë fituese dhe të bëhet gati për vitin 2023.
Por përveç kësaj është edhe kontrata me “Honda”-n, e cila për Markezin përfundon në 2024. Edhe pse duhen edhe dy sezone, të dy palët duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë së bashku apo do të ndajnë rrugët e tyre. Hipoteza e dytë nuk duhet përjashtuar absolutisht.
Me vëllanë e tij, Aleksin, te “Ducati”, nga sezoni i ardhshëm, Marku do të fillojë të marrë informacionet e para edhe për “Desmosedici”-n.