AlbanianSport.com 21/10/2018 17:15
ASNN – Piloti spanjoll i “RCL Hondës” triumfon në pistën e shtëpisë, në Motegi, dhe shpallet për të 7-ën herë “kampion i botës”. Kështu, Mark Marquez është shpallur sot “kampion” në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, që njihet si Moto GP, për sezonin 2018-2019.
Ky është titulli i shtatë kampion në karrierën e pilotit spanjoll të “Hondës” dhe i pesti në kategorinë më të lartë të motoçiklizmit, pasi ka edhe nga një titull në Moto 2 e një në Moto 3. Spanjolli bëri një garë të jashtëzakonshme dhe të duruar në pistën e Motegi, duke fituar garën e Çmimit të Madh të Japonisë.
Edhe pse e nisi nga vendi i gjashtë, ai e mbylli si triumfues. Ai përfitoi edhe nga dalja jashtë piste xhiron e parafundit të rivalit të tij kryesor Andrea Doviciozo, për të festuar matematikisht titullin, plotësisht i merituar.
Për Markezin, kjo ishte fitorja e tetë sezonale, ndaj dhe triumfi është tërësisht i merituar dhe festa që “Honda” kishte përgatitur për të festuar që në Motegi, në pistën e saj, nuk shkoi dëm. Në vendin e dytë u rendit britaniku Kal Kraçlou dhe podiumin e plotësoi Aleks Rins. Vetëm i katërti Valentino Rosi me “Jamaha”-n e tij, 6 sekonda pas fituesit, një garë në dritë-hije për italianin, që e nisi atë nga vendi i nëntë.