Gjergj Vyshka 03.06.2016 13:05
Provat e lira të Moto 2 në Çmimin e Madh të Barcelonës janë kthyer në një tjetër humbje të madhe për sportin e motorëve. Vdekja e Salomit vjen pas pesë vitesh nga humbja e Simonçelit. Tragjedi në motoçiklizëm, por në të njëjtën kohë zi në Barcelonë, atje ku ishin duke u kryer provat e lira të Çmimit të Madh ta Katalonjës. Gjithçka ka ndodhur në Moto 2, ndërsa ka vdekur në pistë spanjolli Luis Salom, i cili është rrëzuar në garimin në seksionin e dytë të provave të lira.
Menjëherë pas incidentit në vend kanë mbërritur dy ambulanca për t’i dhënë ndihmën e shpejtë pilotë, por në të njëjtën kohë edhe helikopteri mjekësor është zhvendosur menjëherë për t’i dhënë asistencën e nevojshme mjekëve në ndihmën e shpejtë për fatkeqin Salom. Duke parë gjendjen e tij të rëndë, ai është zhvendosur menjëherë drejt Spitalit të Përgjithshëm të Katalonjës, që ka qenë i gatshëm për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale.
Por, sipas deklaratës në një komunikatë për shtyp të Dornas, për shkak të traumave të marra është shuar në orën 16:55. Salom u lind në Palma de Majorka më 7 gusht 1991. Në karrierën e tij si motoçiklist ka fituar 9 Çmime të Mëdha. Por duket se karriera e tij ka qenë e shkurtër, ndërsa motoçiklizmi botëror, pesë vjet pas humbjes së Simonçelit, përjeton aktin e dytë tragjik. Një humbje e rëndë në prag të Çmimit të Madh të Barcelonës.