AlbanianSport.com 08.05.2016 23:35
ASNN – Horge Lorenco është fituesi i garës së Çmimit të Madh të Francës. Në Lë Mansh, piloti spanjoll i “Jamahës” ka kryesuar nga fillimi i garës e deri në fund, i pashqetësuar nga pilotët e tjerë. Në vend të dytë është renditur Valentino Rosi.
Kjo garë u transmetua drejtpërdrejt nga Televizioni Shqiptar. Kështu, Çmimi i Madh i Francës në Botërorin e Motorëve ka për fitues, Horge Lorencon. Piloti spanjoll i “Jamahës”, është nisur i pari në këtë garë, vend që e ka ruajtur deri në fund.
Ai ka krijuar distancë me ndjekësit që në fillim, të cilën e ka ruajtur deri në finish. Kjo është fitorja e dytë sezonale për Lorencon. Pas spanjollit, në vendin e dytë është renditur Valentino Rosi, po me “Jamaha”.
Edhe pse u nis nga vendi i 7-të, piloti italian i “Jamahës” ka zhvilluar një garë të shkëlqyer, duke e mbyllur i dyti. Fillimisht Rosi parakalon Markezin në një duel spektakolar në kthesë, ashtu siç vetëm ata të dy dinë të duelojnë.
Më pas, në xhiron e 12-të në një vend delikat të pistës, Markezi dhe Doviciozo rrëzohen duke humbur kështu pozicionet e para në garë. Në vendin e tretë u pozicionua Maverik Vinjales me “Suzukin” e tij.
Pas garës së Lë Manshit, renditjen për pilotë e kryeson Horge Lorenco me 90 pikë, i ndjekur nga Mark markez me 85 pikë dhe në të tretin ndodhet Valentino Rosi me 78. Edhe kjo garë e botërorit të motorëve u transmetua nga Televizioni Shqiptar.