AlbanianSport.com 23/03/2019 19:05
ASNN – Horhe Lorenco ka thënë se ai bashkë me Markezin tek “Honda” janë si të bashkosh Ronaldon dhe Mesin në një skuadër futbolli. Sidoqoftë, ai e pranon se dy futbollistësh janë një skuadër ëndrrash, përsa i përket aspekteve të tjera.
“90% e asaj që mund të sjellë bashkimi Lorenco-Markez janë gjëra pozitive, dy pilotë, të mirë, që kanë fituar shumë gjatë dekadës së fundit, por mendoni një gjë ne të dy jemi sikur Ronaldo dhe Mesi të jenë në të njëjtën skuadër”, – ka thënë spanjolli.
Por si është lidhja e Lorencos me Markezin? “Midis Markut dhe meje qëndron një fitil gati për t’u ndezur dhe për të shpërthyer, – ka pohuar Lorenco. – Por jo brenda garazhit të motorëve apo marrëdhënieve me pjesëtarët e tjerë të ekipit.”
“Në momentin kur ulim shikimin dhe ndezim motorin në pistë, kemi vetëm një mendim, të mundim 22 konkurrentët e tjerë, përfshirë edhe shokun e skuadrës”, – shtoi piloti spanjoll, i cili e pranon se ka patur frikë të hipte në motor.
“Unë kam qenë një nga të paktët pilotë që ka pranuar të hipte në motor në vitin 2008, – ka zbuluar ai. – Jam rrëzuar 4-5 herë radhazi dhe kam dëmtuar qafën duke humbur disi edhe kujtesën.”
Por, më pas, për të fshehur frikën, ai vuri një maskë arrogance e cila jo pak herë i solli probleme edhe me median.