AlbanianSport.com 17/09/2019 17:35
ASNN – Piloti francez rrëfen emocionet e Mizanos, reflekton mbi atë që po mëson garë pas gare. Mark Markezi mund ta ketë fituar duelin në xhiron e fundit me Fabio Kuartararon në Çmimin e Madh të San Marinos, por, gara e së dielës konfirmoi edhe potencialin e pilotit të ri francez. 20-vjeçari ka rrëfyer se po mëson nga gara në garë dhe se nuk do të ngurrojë ta sfidojë sërish 7-herë kampionin e botës. Ishte një përpjekje titanike ajo që ai bëri në Çmimin e Madh të San Marinos të dielën, por që prapëseprapë nuk mjaftoi.
Duke e mbajtur prapa 7 herë kampionin e botës, Mark Markezin deri në xhiron e fundit, piloti i ri, Fabio Kuartararo dëshmoi se është thjesht çështje kohe përpara se ai të ngjitet vetë në shkallën më të lartë të podiumit të një gare të Moto GP-së. Edhe pse piloti francez i “Petronas”-it, së bashku me 4 “Jamaha”-t e tjera shijuan një fundjavë të mirë, në fund të garës, i mbeti atij barra e sfidimit të një rivali të fortë së Markezi. Pavarsisht se, falë përvojës dhe emrit, ky e fundit e fitoi garën, Kuartararo shpalosi aftësi të admirueshme, duke e dëshmuar veten si një talent i së ardhmes.
“Nuk është vetëm një nga çastet më të mira të karrierës, por edhe të vetë jetës sime”, – pati deklaruar 20-vjeçari pas përfundimit të garsë. Gjërat në Mizano mund të mos kenë shkuar siç do të dëshironte francezi, por fakti që tanimë e di që mund të luftojë dhe ta parakalojë Markezin, do ta bëjë atë një sfidant edhe më të fortë për pjesën e mbetur të sezonit. “Kur ke një pilot 7 herë kampion të botës prapa në çdo xhiro dhe ai të parakalon në kthesën e parë dhe ti e parakalon në kthesën e 4-t… natyrisht që isha shumë i lumtur që pata atë betejë me të”, – ka rrëfyer Kuartararo.
“Pastaj, herën e fundit që ishim në vendin e dytë ishim 3 sekonda prapa, ndërsa këtë herë ishim shumë pranë tij, – ka vijuar francezi. – Kështu që, hap pas hapi, po mësojmë të bëjmë më mirë, kështu që kjo është shumë mirë për ne. Ajo që unë di tashmë është që Markezi është njerëzor, si të gjithë ne dhe kjo do të thotë që edhe ai mund të bëjë gabime, mund të thyhet nga trysnia. Ne thjesht duhet të jemi aty kur kjo të ndodhë dhe të përfitojmë.” Tanimë, fjalën e ka pista e Aragonit në Spanjë, aty Kuartararo do të provojë sërish të sfidojë një kampion bote.