AlbanianSport.com 03/11/2021 20:10
ASNN – Piloti italian: “Dua të jap më të mirën në garat e fundit”. Për Valentino Rosin janë dy garat e fundit në Moto GP. Me rastin e lamtumirës së tij në këtë sport, “Jamaha” ka organizuar një event për pilotin italian “Edhe një xhiro”. Të gjithë duan të jenë atje. Por Rosi kërkon t’i kënaqë tifozët e vet edhe me rezultate të mira në dy garat e fundit. Po afrohet dita e eventit special, në të cilin Valentino Rossi do të jetë i ftuar për të “edhe jë xhiro”, atë të nderit, në prani të publikut në Eicma.
Një rast i veçantë për të nderuar edhe një herë pilotin italian dhe për të gjitha emocionet që ka ditur t’i japë publikut në këto 16 vite sfidash me “Jamaha”-n. “Edhe një xhiro” do të organizohet në 25 nëntor në mjedisin e hapur “Arena MotoLive” të Eicmas. Valentino Rosi po shkon në Portimao pa e menduar shumë se ajo do të jetë gara e parafundit e tij në Moto GP. Pezarezi i “Jamaha”-s shpreson ta mbyllë denjësisht këtë Çmim të Madh.
“Objektivi në këtë fundjavë është të bëj një garë të mirë dhe të jem midis të parëve, -ka thënë ai. – Shpresoj të jem konkurrues dhe të arrijmë një rezultat të mirë ashtu si herën e fundit në Misano. Portimao është një pistë e vështirë dhe ka karakteristika shumë të veçanta, që cirkuitetet e tjera nuk i kanë”, – ka shtuar më tej, piloti italian i “Jamaha”-s. Përveç Valentino Rosit, lajm për garën e Portimaos është edhe mungesa e Mark Markezit.
Pas dy fitoreve radhazi, pikërisht kur dukej se ishte rikthyer në 100%, Mark Markezi është i detyruar të ndalet sërish. Piloti i Hondës është rrëzuar gjatë stërvitjes në pistë, ndërsa përgatitej për garën në Portimao. Ai ka pësuar një tronditje të lehtë në kokë dhe pas kontrollit mjekësor, është vendosur që si masë paraprake të mos marrë pjesë në garën e kësaj fundjave.