AlbanianSport.com 30/05/2019 23:55
ASNN – “Jamaha” ende nuk po u përgjigjet kërkesave të Valentino Rosit. I mbiquajturi “Doktori” ka dukshëm në dispozicion një motor më të ngadaltë se kundërshtarët e tij, “Dukati” dhe “Honda”. Megjithë përpjekjet e tij, në La Mansh zuri vendin e 5-të dhe kjo nuk i pëlqen Rosit. 40-vjeçari është mësuar të ngjitet gjithnjë në podium. Pas dy vitesh të errëta, “Jamaha” ende nuk është në lartësinë e duhur, pra është shumë prapa dy kundërshtarëve direktë, “Dukatit” dhe “Hondës”.
Edhe në garat e fundit është konfirmuar se motorët “Jamaha” kanë qenë disa sekonda prapa të parëve. Por Valentino Rosi mbetet në çdo rast piloti më i mirë i “Jamahas”, dhe me 72 pikët e tij është i 4-ti në renditjen e përgjithshme, me 42 pikë më tepër sesa shoku i tij i skuadrës, Vinjales. Dhe ai që i vë më shumë në dukje përpjekjet e “Doktorit”, është Stefan Bradli, në një intervistë për “Servus TV”: “Në dy vitet e fundit, “Jamaha” ka humbur disi përsa i përket zhvillimit, në krahasim me “Hondën” dhe “Dukatin”.”
“Kanë fjetur disi më duket, e për këtë janë me vonesë, – ka vijuar ai. – Sigurisht që Valentino po kërkon të vihet në krye të garës, por që nuk është aspak i kënaqur me vendin e 5-të në Le Mansh. Dëshiron të ngjitet gjithnjë në podium 40-vjeçari. Nuk është aspak i kënaqur me pozicionet nga i 5-ti, tek i 10-ti. Nëse është dikush që e di se si mund të dilet nga kjo krizë, është Valentino Rosi. Aktualisht ai po lufton me të gjitha mënyrat, sepse “Dukati” e “Honda” janë më të shpejtë”, – ka përfunduar Bradli.