AlbanianSport.com 29/08/2021 17:20
ASNN – Francezi ngadhënjen në garën e 12-të të sezonit, në Çmimin e Madh të Britanisë së Madhe dhe tanimë piloti i “Jamaha”-s kryeson renditjen e përgjithshme të pilotëve në nivelin më të lartë të Kampionatit Botëror të Motoçiklizmit, në Moto GP. Në fakt, ka qenë një garë për t’u duartrokitur ajo e Fabio Kuartararos në Silverstoun, në katedralen britanike të shpejtësisë, ku arrin fitoren e radhës në një sezon, deri më tani, thuajse të përsosur për të, duke treguar kështu synimin e tij serioz për të fituar këtë Botëror të Moto GP-së, pas zhgënjimit në sezonin e kaluar.
Për francezin, janë 65 pikë diferencë me vendin e dytë në renditjen e përgjithshme për pilotë, në të cilin ndodhet kampioni në fuqi i botës, Joan Mir. Dhe 6 garat e fundit të sezonit do të tregojnë nëse skuadra e “Jamaha”-s dhe Fabio do të arrijnë suksesin e dëshiruar. Pas pilotit francez ka qenë një betejë e vërtetë midis vëllezërve Espargarò që ëndërrojnë, por vetëm njëri arrin të ngjitet në podium. Eshtë Aleiks Espargarò, i treti në podium, pasi në shkallën e dytë të tij ngjitet Aleks Rinsi me “Suzuki”-n, i cili deri në xhiron e fundit ishte në dyluftim me “Dukati”-n e Xhek Millerit.
Feston kështu “Aprilia”, që rikthehet në podium pas 21 vitesh, pikërisht në pistën britakinke. Të zhgënjyer mbeten australiani Miller, i 4-ti, pas tij Pol Espargarò e më pas “KTM”-ja e Brad Binderit. Jo mirë kanë qenë në finish edhe Françesko Banjaja e Valentino Rosi, përkatësisht në vendin e 14-të dhe të 15-të. Mark Markez dhe Horhe Martin nuk arritën ta përfundojnë garën, pas atij aksidenti midis tyre që në fillim të saj, që pritet të kthehet në “mollë sherri”.
RENDITJA E PËRGJITHSHME E PILOTËVE:
Nr. Piloti Pikë
- Kuartararo 206
- Mir 141
- Zarko 137
- Banjaja 136
- Miller 118
- Binder 108
- Vinjales 95
- Oliveira 85
- Espargarò 83
- Rins 64
- Martin 64
- Markez 59
- Nakagami 58
- Espargaro 52
- Markez 49
- Morbideli 40
- Petruçi 36
- Bastianini 35
- Lekuona 33
- Rosi 28
- Marini 28
- Bradl 11
- Pedroza 6
- Savadori