AlbanianSport.com 08/08/2019 19:55
ASNN – Skuadra italiane ka triumfuar që nga 2016-ta, pista e Shpilbergut, “mollë e ndalueme” për Mark Markezin. Çmimi i Madh i Austrisë është gara e radhës në Botërorin e Moto GP-së dhe veçoria e saj është se mbetet ende një “mollë e ndaluar” për Mark Markezin. Megjithatë, me kampionin e botës në formë të papërmbajtshme, dorashka e sfidës është hedhur për “Dukati”-n dhe pilotët e tij që ta ruajnë të paprekur supremacinë në pistën e Shpilbergut. Që kur Austria u rikthyer në kalendarin e garave të Botërorit të Motoçiklizmit, në 2016-ën, vetëm “Dukati” ka triumfuar aty në nivelin më të lartë, atë të Moto GP-së.
Kjo nënkupton se kampioni në fuqi i botës, Mark Markezi i “Repsol Honda”-s, ende nuk e ka pushtuar pistën e Shpilbergut. A do të jetë 2019 viti kur ai do t’i dalë? Pasi Andrea Doviciozo dhe Horhe Lorenco e kanë mundur Mark Markezin në xhirot e fundit gjatë këtyre dy sezoneve të fundit, edhe këtë sezon kjo garë premton një tjetër përballje spektakolare. Dhe shenjat janë mira. Markezi po shijon një nga të paktat vazhda pozitive të vendeve të siguruara në podium në nivelin më të lartë të këtij botërori dhe numri 93 duket se pëo shijon një tjetër kulm të karrierës së tij.
Por, asnjë nuk është i pathyeshëm, siç e kemi parë edhe këtë sezon, dhe bilanci i Markezit në Austria është i varfër. Kështu, mbetet për t’u parë nëse Andrea Doviciozo i “Dukati”-t do të arrijë të bëhet i pari pilot që mbron triumfin e një sezoni më parë që nga rikthimi i Austrisë në kalendarin e Moto GP-së. Fitorja e tij ndaj Markezit në 2017-ën ishte një nga duelet e shumta klasike midis tyre dhe italiani u rikthye në podium në Bërno në fundjavë, pas disa garave zhgënjyese. Përveç tij është edhe shoku i skuadrës, Danilo Petruçi.
Edhe ai një fitues i një gare pas një fitoreje mbresëlënëse në Muxhelo dhe ai mund ta çojë në 4 numrin e fituesve të ndryshëm të garës austriake me motorët e “Dukati”-t. Në këtë ekuacion futet edhe një tjetër “Dukati”, ai klient i Xhel Millerit, i cili në Bërno ishte në podium për herë të dytë këtë sezon. Por, më tepër sesa pikët, në këtë fundjavë në lojë është krenaria e skuadrës dhe kjo e bën garën e 11 gushtit 2019, një spektakël të garantuar, që sigurisht do të vijë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar.