AlbanianSport.com 27/05/2020 19:25
ASNN – Xhek Miller do të jetë piloti i ri i “Dukati”-t. Lajmi u zyrtarizua të mërkurën. Duke filluar nga 2021 australiani do të jetë piloti zyrtar i skuadrës së Borgo Panigales, në Kampionatin Botëror të Moto GP-së. Kontrata e tij ka një mundësi për t’u shtyrë deri në 2022.
Milleri, që ka mbërritur në botën e Moto GP-së në 2015-ën, kur ishte vetëm 20 vjeç, është bërë pjesë e familjes “Dukati” në 2018 me skuadrën kliente të prodhuesit bolonjez të motorëve, “Pramak”-un. Me skuadrën toskane, Xheku është ngjitur 5 herë në podium, çka i mundësoi ta mbyllë sezonin në vendin e 8-të në renditjen e përgjithshme.
Edhe pse vetëm 25 vjeç, Miller, ka një përvojë të kënaqshme në klasin “mbretëror”, duke kaluar direkt nga Moto3 në 2015, me “Honda”-n që i besoi shumë atij. Megjithatë ende nuk dihet nëse në 2021-shin, Milleri do të jetë shoku i skuadrës me Andrea Doviciozon.
“Dukati” dhe piloti italian janë duke diskutuar detajet ekonomike të kontratës, e cila përfundon këtë vit. Sidoqoftë, duhet pritur si do përfundojë ky botëror, për të parë ndryshimet që do ndodhin jo vetëm te “Dukati”, por edhe te skuadrat e tjera të Moto GP-së.