AlbanianSport.com 05/02/2020 19:30
ASNN – Ende asnjë vendim për Andrea Janonen. Gjykata Ndërkombëtare e Disiplinës e Federatës Botërore të Motoçiklizmit (FIM), pasi e ka dëgjuar për 4 orë pilotin italian, në mbrojtjen e tij pas akuza për përdorim dopingu, e ka shtyrë vendimin edhe për 10 ditë. Kjo sepse avokati mbrojtës ka paraqitur edhe analizat e flokëve të Janones, të cilat kanë nxjerrë në pah faktin që piloti nuk ka përdorur steroidë nga shtatori 2019 deri në dhjetor 2020.
Ka zgjatur 4 orë senca e italianit para Gjykatës Ndërkombëtare të Disiplinës të FIM. Pilotit të “Aprilia”-s i duhej të mbrohej, pasi u konstatua pozitiv gjatë një kontrolli antidoping, gjatë fundjavës së Çmimit të Madh të Malajzisë, nëntorin e kaluar. Pozitiviteti i tij u konfirmua edhe nga analiza B. Shpresa e pilotit nga Vasto ishte të qartësonte pozicionin e tij, në mënyrë që të mërkurën të nisej drejt Malajzisë, ku të premten do të bëhen testet kolektive të Moto GP-së.
Por paneli vendosi që të marrë edhe 10 ditë kohë për të vendosur. Kështu Andrea nuk do të mund të zbresë në pistën e Sëpangut, shkruhet në komunikatën e Federatës Ndërkombëtare të Motorëve. Kështu, piloti italian do të vazhdojë të mbetet i pezulluar deri në një vendim të ri të Gjykatës. Avokati i pilotit, Antonio De Rensis, ka prezantuar para tre gjykatësve, rezultatet e marra nga fijet e flokëve të Janones, analiza këto që u bënë në Qendrën Antidoping “A. Bertinaria” në Torino.
E sipas këtyre rezultateve, Janone nuk rezulton të ketë patur prani të steroidëve anabolizantë, në periudhën midis shtatorit 2019 dhe janar 2020. Pra shumë më përpara se të merreshin kampionët e urinës, në garën e Malajzisë, që u zhvillua në nëntor. Avokati ka shtuar se grimcat e substancës të gjetura në urinën e pilotit, në Sepang mund të jenë shfaqur edhe nga dieta e mishit, që abrucezi ka bërë gjatë fazës aziatike të kalendarit të Moto GP-së.
Mish që mund të ishte i kontaminuar pa dijeninë e klentit të tij. Ndërsa prokurori federal ka nënvizuar faktin se, Janone nuk ka përdorur steroidë për të përmirësuar pilotimin e tij, por për estetikë, pra për të rritur masën muskulore, të shfaqur në shumë foto në rrjetet sociale. Sidoqoftë, përfaqësuesi i FIM do të ketë në dispozicion 5 ditë për të shqyrtuar analizat e flokëve të Janones, e më pas mbrojtja do të ketë 5 ditë të tjera për të replikuar vendimin.