AlbanianSport.com 02/04/2022 19:10
ASNN – Përballjet e javës së 19-të në Grupin e Jugut zhvendosen javën që vjen. Sikundër edhe pritej, moti i keq ka ndikuar sërish në fundjavën e futbollit në vend. Kështu, kushtet atmosferike kanë detyruar Departamentin e Garave në Federatën Shqiptare të Futbollit të shtyjë disa nga ndeshjet e javës së 19-të të Kategorisë së Dytë, të parashikuara për t’u luajtur këtë fundjavë.
Sipas njoftimit të organizmit që qeveris futbollin në vend, pas konsultimeve me klubet dhe duke parë gjendjen e terreneve të rënduara nga reshjet e shirave, Departamenti i Garave ka vendosur që sfidat e Grupit B të Kategorisë së Dytë të mos luhen këtë javë dhe të shtyhen për javën e ardhshme. Gjashtë ndeshjet e Grupit B ishin parashikuar për t’u luajtur këtë të diel.
Ndërkohë, nuk ka asnjë ndryshim programi për ndeshjet e Grupit A të Kategorisë së Dytë, që do të luhen këtë javë sipas kalendarit të përcaktuar tashmë. Sa u përket sfidave që janë shtyrë për javën e ardhshme, ato Përmeti-Memaliaj, Tepelena-Labëria, Devolli-Naftëtari, AF Luftëtari-Albpetrol, Këlcyra-Sopoti dhe Gramozi-Flamurtari.
Kujtojmë këtu se javë më parë, rreshjet e dëborës patën shkaktuar shtyrjen e një numri ndeshjesh në nivelet e ulëta të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, por edhe atë moshave dhe femrave.