AlbanianSport.com 25/01/2021 16:45
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit ka bërë të ditur të hënënparadreke se rifillimi i garave të Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit do të shtyhet sërish.
Zyra e shtypit e organizmit që qeveris futbollin në vend njofton se vendimi është marrë për shkak të reshjeve të shiut, që parashikohen në fundjavë e që mund të krijojnë problematika të mëdha në infrastrukturën e shumë skuadrave.
Në këto kushte, Sektori i Garave në FSHF ka planifikuar që rifillimi i ndeshjeve në të dyja këto kategori të ndodhë fundjavën pasardhëse, më konkretisht, atë të 6 shkurtit 2021.
Ndërkohë, lidhur me këtë ndryshim të kalendarit, Federata thotë se janë njoftuar edhe klubet e Kategorisë së Parë dhe Kategorisë së Dytë, për të marrë masa sa u përket aspekteve logjistike dhe organizative.