AlbanianSport.com 09/01/2019 22:15
ASNN – Ai shkëlqeu sezonin e kaluar, duke shënuar 32 gola në Premier Ligën angleze, një rekord më vete pasi më parë ishin shënuar 31 gola nga legjendat e këtij kampionati, përfshi dhe Kristiano Ronaldon që e kishte regjistruar shifrën e 31 golave në një sezon me Mançester Junajtid në vitin 2008. Pra sezoni i shkuar në Premier Ligë i përkiste Mohamed Salahut, sulmuesit egjiptian që regjistroi rekorde dhe suksese të mëdha duke shkuar deri në finale e Ligës së Kampioneve.
Dhe është pikërisht Salah, i cili është zgjedhur nga Konfederata Afrikane e Futbollit si sulmuesi afrikan më i mirë i vitit 2018, duke lënë pas emrat e tjerë cilësorë të kontinentit të zi. Në mbrëmjen gala të organizuar nga konfederata afrikane e futbollit në Dakar të Senegalit , sulmuesi i Liverpulit mposhti konkurrencën e shokut të tij të skuadrës tek Liverpuli, Sadio Mane, si dhe sulmuesit të Arsenalit, Pjer Emerik Obamejang, i cili përfundoi në vend të 4-të.
Dhe realisht, për egjiptianin Mohamed Salah ky ishte viti i dytë radhazi që e fiton këtë çmim. Mediat angleze shkruajnë se keqardhja është për sulmuesin Sadio Mane, i cili ka shkëlqyer gjithashtu me Liverpulin, por për shkak të supremacisë së Salahut duhet të gëzohet thjesht me vendin e dytë. Për Manenë, ky është viti i 3-te rresht që është në podium, dy herë si vend i dytë e një herë si vend i tretë. Salahu është dhe këtë sezon një nga sulmuesit më të mirë në Premier Ligë, duke pasur statistika mbresëlënëse.