Gjergj Vyshka 17.10.2016 07:55
Bullgaria është dominuesja e Kampionatit të 3-të Ballkanik të MMA-së, që është zhvilluar dje në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet. Një veprimtari që i ka mbajtur të gjithë të mbërthyer për pesë e orë e gjysmë, ndërsa në të përveç Shqipërisë kanë marrë pjesë dhe Bullgaria, Turqia, Greqia e Italia. Kjo e fundit, të paktën edhe sipas presidentit të Federatës Shqiptare të MMA-së, Arjan Rizaj, është pjesë e Evropës dhe e Ballkanit si ndarje në këtë sport.
Kanë munguar Kosova, Rumania, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Kroacia e Sllovenia, edhe sepse ende nuk e njohin si disiplinë sportive, e cila shumë shpejt pritet të njihet dhe si sport olimpik. Bullgaria si në kategorinë e moshës 16 vjeç, ashtu dhe 18 vjeç ka grumbulluar plot 13 medalje të arta. Italia e Shqipëria janë me nga 4 medalje të arta, Turqia dhe Greqia me nga një. Në përgjithësi, një turne i mirë, aq sa si presidenti i Federatës Ballkanike, Nedkov, por dhe ai i Federatës Botërore, Braun, e kanë vlerësuar organizimin e Rizajt.
Aq sa në momentin që do të përfundojë Parku Olimpik në ish-kompleksin “Dinamo”, Shqipëria mund të marrë dhe Kupë Evrope e Bote, apo dhe Kampionat Evropian. Ndërkohë, 200 bileta janë shitur dje për Kampionatin Ballkanik të MMA-së, që është zhvilluar në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”, ndërsa çmimi ka qenë 500 lekë për copë.