Gjergj Vyshka 19.09.2016 13:25
Kampionati Ballkanik i Ndeshjeve të Lira-MMA, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Ndeshjeve të Lira, Arjan Rizaj, do të zhvillohet nga data 15, deri më 17 tetor 2016 në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
Në këtë kuadër, gjithnjë sipas informacionit që i është përcjellë dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, më 15 tetor në Tiranë do të vijë dhe presidenti i Federatës Botërore të Ndeshjeve të Lira-MMA, Kerrith Braun.
Ai pritet të jetë i pranishëm gjatë zhvillimit të këtij Kampionati Ballkanik në kryeqytetin shqiptar, si dhe do të krijojë mundësinë e promovimit të këtij sporti shqiptar në mbarë botën.
“Shpresojmë që gjatë zhvillimit të Kampionatit Ballkanik të kemi prezencën tuaj, pasi na duhet mbështetja e secilit, që nga sportisti dhe deri te tifozëria, dhe kjo do të na mundësonte që të krijojmë një klimë sa më miqësore”, – ka thënë Rizai.
“Prezenca e Kerrith Braun është një nga qëllimet e tij në këtë organizim për të promovuar dhe për të krijuar mundësi për zhvillimin e këtij sporti në kombin tonë shqiptar”, – përfundon mesazhi i drejtuar nga Federata Shqiptare e Ndeshjeve të Lira ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.
Ndërkohë delegacioni i Federatës Ballkanike të Ndeshjeve të Lira do të përfaqësohet nga Presidenti, Stanislav Nedkov.