AlbanianSport.com 22.05.2016 17:25
ASNN – Me nismën e trajnerit të shahut të Tomorit, Leonard Kolani, por dhe me prezencën e figurave të njohura të këtij sporti në vend, Erald Dervishit dhe Fatos Muços, dje në Berat është hapur Akademia e Shahut. Për vetë historinë që ka ky sport në Berat, me shumë traditë dhe me suksese të pafundme kombëtare e ndërkombëtare, ringritja e kësaj akademie ka qenë ëndërr për Kolanin.
E jo vetëm kaq, por ëndërr për të ka qenë edhe rilindja e këtij sporti në vend. Dhe tashmë kjo rilindje ka ardhur, ndërsa i dedikohet vullnetit të Kolanit, që është shpallur edhe “kampion” i vendit më 1992 së bashku me Llambi Qendron, Thoma Koroveshin, Arben Dardhën. Dhe tanimë shahu ka rilindur, ndërsa vetëm vitin e kaluar në ditën e shahut në Berat kanë marrë pjesë 500 shahistë.
E hapja e Akademisë së shahut është shoqëruar edhe me një leksion nga Dervishi dhe Muça për zhvillimin e këtij sporti në vend. “Është vërtetë një kënaqësi shumë e madhe për mua personalisht që marrë pjesë në promovimin e Akademisë së Shahut në Berat”, – ka theksuar Mjeshtri i madh ndërkombëtar, Erald Dervishi. – Një sport që në këtë qytet ka një histori të lashtë.
Ndërsa më vjen shumë mirë gjithashtu që një ish-koleg dhe kundërshtar i imi, si Leonard Kolani, bëhet promotor i ngritjes dhe funksionimit të një Akademie, – ka vijuar ai. – Kjo është e dyta pas asaj të Tiranës, ndërsa Kolani stërvit tre talente të shahut beratas. E kjo tregon si një ringjallje të Tomorit, që i mungon veprimtaritë tona kombëtare, por dhe përfaqësueses.”
“Sporti ynë kërkon cilësi dhe rivalitet, sepse ndryshe nuk mund të kemi të ardhme”, – ka përfunduar mjeshtri i madh ndërkombëtar, Erald Dervishi.