AlbanianSport.com 24/03/2019 17:05
ASNN – Java e 13-të e Grupit A1 të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit të Femrave u luajt të shtunën, ku spikatën fitoret e skuadrave pretendente, por duhet thënë se prodhoi një surprizë, e cila ka të bëjë me kryesimin. Mirdita pas kësaj jave nuk është e vetme në krye, por do të ketë edhe shoqërinë e Barleti Volejit, dhe të dy rivalet kanë secila nga 31 pikë.
Mirdita mundi në kryeqytet Tiranën me rezultatin 3-2, në një ndeshje mjaft të fortë, me rivalitet të spikatur, por në fund me sukses të vajzave nga Rrësheni. Dy setet e para u fituan bindshëm nga Mirdita me shifrat 25-20 dhe 25-16, por Tirana e përmbysi në dy setet në vijim duke fituar 25-19 dhe 25-22. Megjithatë, në setin e 5-të dhe atë final, Mirdita fitoi me shifrat 15-12.
Duke bërë kështu që ta ruajë kreun e renditjes me 31 pikë, por tashmë nën kërcënimin e Barletit. Ky i fundit fitoi dje në Korçë 3-0 përballë Skënderbeut, me shifrat 25-14, 25-10 dhe 25-13. Pra një fitore e lehtë e vajzave universitare dhe një 3-pikësh që mundëson barazimin me pikë me Mirditën e vendit të parë. Një fitore relativisht të lehtë korri edhe Partizani ndaj Lushnjës, me rezultatin 3-1.
Aty ku setet prodhuan këto shifra: 11-25, 10-25, 25-17, 14-25. Një tjetër ndeshje që prodhoi emocione këtë javë ishte ajo e luajtur në Durrës ndërmjet Teutës dhe Vllaznisë, e cila u fitua nga shkodranet me rezultatin 3-2. Pati rivalitet të spikatur në çdo set dhe këtë e vërtetojnë edhe shifrat e duelit. 26-28 në favor të shkodraneve shkoi seti i parë, por Teuta përmbysi në të dytin duke fituar 25-20 dhe setin e 3-të 27-25.
Por vajzat nga Shkodra do të reflektonin në setin e 4-t dhe fitojnë 25-19 dhe tregohen të papërmbajtshme në setin final, duke fituar 15-7 dhe krejt ndeshjen 3-2. Pas kësaj fitoreje Vllaznia mbetet në vend të 5-të me 16 pikë, duke lënë pas Teutën në vend të 6-të me 11 pikë. Ndërkohë që Skënderbeu zbret në vend të parafundit, pra në vend të 7-të, me 10 pikë. Tabelën e renditjes e mbyll Lushnja me vetëm 2 pikë.
Kampionati Kombëtar
i Volejbollit – Femra
Grupi A1
Java e 13-të:
Të shtunën, 23 mars 2019:
Lushnja – Partizani 1-3
(11-25, 10-25, 25-17, 14-25)
Tirana – Mirdita 2-3
(20-25, 16-25, 25-19, 25-22, 12-15)
Skënderbeu – Barleti Volej 0-3
(14-25, 10-25, 13-25)
Teuta – Vllaznia 2-3
(26-28, 25-20, 27-25, 19-25, 7-15)
Renditja
Nr. Skuadra N. F. H. Sete Pikë
- Mirdita 13 11 2 35-15 31
- Barleti Volej 13 10 3 36-14 31
- Tirana 13 9 4 32-14 28
- Partizani 13 9 4 32-19 27
- Vllaznia 13 6 7 22-29 16
- Teuta 13 3 10 15-31 11
- Skënderbeu 13 4 9 14-32 10
- Lushnja 13 0 13 16-39 2