AlbanianSport.com 16/11/2022 22:45
ASNN – Kuqezinjtë shënojnë të parë, por “axurrët” përmbysin dhe marrin fitoren. Në një atmosferë të ndezur dhe në një stadium të mbushur plot e përplot, Shqipëria është përballur me Italinë në një miqësore luksi, ndërsa pjesa e parë ka qenë me të vërtetë e vrullshme teksa ka dhuruar edhe 3 gola. Pas një çerekore të parë të baraspeshuar, me skuadrat që luanin të kujdesshme, do të jetë Kombëtarja kuqezi që do të kalojë e para në epërsi, kur ndërthurja e dy futbollistëve që luajnë në Serinë A të Italisë me Empolin, sjell edhe golin.
Nedim Bajrami do të harkojë bukur nga një goditje e lirë nga e djathta dhe shoku i tij i skuadrës, Adrian Ismajli, i shpëton mbulimit të kapiteni “axurr”, Bonuçi dhe e dërgon topin në rrjetë me një goditje me kokë. Megjithatë, italianët do të kundërpërgjigjen dhe brenda 5 minutash do të barazojnë shifrat, kur Di Lorenco i shpëton mbrojtjes kuqezi dhe e kthen topin në rrjetë pas një pasimi nga e majta. Dhe në minutën e 26-të, një tjetër shpërqendrim i mbrojtjes kuqezi u jep mundësi miqve të gjejnë edhe golin e dytë, me anë të Grifos, që përmbys kështu shifrat në favor të Italisë.
Takimi tashmë mbizotërohet nga “axurrët”, që kanë marrë në dorë frenat e lojës dhe, përtej një dëmtimi të rëndë të Tonalit, pas një dueli ajror me Baren, do t’i afrohen edhe golit të 3-të në minutën e dytë shtesë, por është shtylla e majtë pingule që shpëton kuqezinjtë dhe kësisoj pjesa e parë mbyllet me epërsinë minimale të 4 herë “kampionëve të botës”. Edhe ajo e dyta ka të njëjtën tablo, me lojë të vrullshme dhe, pasi Grifos i ishte mohuar goli nga shtylla horizontale në minutën e 52-të, e njëjta gjë ndodh në krahun tjetër dy minuta më pas me Uzunin.
Luhet me ritëm të lartë dhe në minutën e 63-të, vjen një tjetër rast i artë për Shqipërinë për të shënuar me një gjuajtje të Bajramit i cili godet shtyllën horizontale të portës italiane dhe, më pas, gjuajtja e Lenjanit ndalet nga Bonuçi në vijën fatale. E pikërisht në momentin më të mirë, Shqipëria ndëshkohet sërish, pasi Grifo ka gjithë kohën dhe hapësirën që i duhet brenda zonës për ta kalibruar goditjen e tij dhe për të përshëndetur rrjetën në minutën e 64-t, duke nënshkruar golin e tij të dytë në këtë takim dhe të 3-tin të Italisë.
25 minutat e mbetura dhe ato 3 shtesë do të shohin Shqipërinë të ndërtojë dhe shpërdorojë disa raste të volitshme deri në fund, por asgjë nuk ndryshon dhe Italia e fiton këtë miqësore me shifrat 3-1 në Tiranë.