AlbanianSport.com 13.11.2015 18:55
ASNN – Është zhvilluar sot në Prishtinë takimi miqësor midis Kosovës dhe Shqipërisë, i cili është mbyllur në barazim 2-2. Pjesa e parë e kësa miqësoreje është mbyllur me rrjeta të paprekura, ndërsa në pjesën e dytë, Shqipëria ka kaluar e para në epërsi, me Manajn, i cili ka realizuar në minutën e 54-t, duke shënuar vetëm pak sekonda pasi kishte hyrë në fushën e lojës.
Por Kosova ka arritur të barazojë dhe më pas të përmbysë gjithçka, duke kaluar në epërsi 2-1. Bersant Celina do të tregohet i saktë nga pika e bardhë e 11-metërshit në minutën e 58-të, ndërsa 11 minuta më pas, Elbasan Rashani ka përmbysur shifrat në favor të Kosovës, duke goditur saktësisht nga një pozicion i prirët dhe duke përshëndetur rrjetën.
Megjithatë, vetëm 3 minuta pas golit të dytë të Kosovës, edhe Shqipëria do të gjejë rrugën e rrjetës, duke shënuar me anë të Rrahmanit, i cili vepron zgjuarsisht brenda zonës dhe mposht portierin e Kosovës. 18 minutat e mbetura dhe 4 minuta shtesë nuk kanë sjellë gola të tjetër, pavarësisht përpjekjeve të të dyja skuadrave dhe i gjithë takimi mbyllet në barazim 2-2.