AlbanianSport.com 05/08/2018 13:00
ASNN – Teksa i afrohemi nisjes së sezonit të ri futbollistik, klubet e mëdha anembanë kontinentit po u japin dorën e fundit përgatitjeve dhe mbrëmja ofron sonte një miqësore luksi midis dy gjigandeve të futbollit evropian dhe atij Botëror.
Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtid do të përballen sonte me njëra-tjetrën në Stadiumin “Allianz Arena”, në atë që është në fakt ndeshja e fundit përgatitore për të dyja skuadrat.
Dhe sikundër çdo ndeshje e madhe, edhe sfida e sotme do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizonit Shqiptar, duke nisur nga ora 20:10. Të dy gjigandet e futbollit kontinental morën pjesë në një turne miqësor veror në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Atje ku gjermanët drejtuar nga trajneri i ri, Niko Kovaç, fituan njërin dhe i humbën dy takimet e tjera. Ndërsa anglezët e Zhoze Murinjos morën një fitore dhe një barazim, por pësuan edhe një humbje në këtë turne amerikan.